Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është “prerë” udha në gjysmë. Bislmi ishte nisur për të marr pjesë në një Forum në Beograd. Por, ai u kthye mbrapsht nga policia serbe për shkaqe sigurie.
Gazeta Insajderi nga burime të sigurta ka mësuar se zëvendëskryeministri nuk i është lejuar të futet në Beograd.
“Ai ka arritur të futet në territorin e Serbisë por nuk i është lejuar vizita në Beograd”, i ka thënë ky burim Insajderit.
Lidhur me këtë lajm ka folur vetë zëvendëskryeministri Bislimi. Ai ka treguar se si është ndaluar nga një veturë.
“Ne kemi bërë kërkesën për vizitë para një jave. Vizita është aprovuar. Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Tek aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë që na ka ndalë e ka thënë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet. Po del se është krejt manipulim… Doli një veturë shtesë, ka dalë konvoji dhe ka kërkuar të kthehemi se gjoja ka probleme për siguri. Ka thënë se po kërcënohet siguria”, ka thënë Bislimi nëpërmjet telefonit për Kohën.