1.4 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Buy now

spot_img

Si erdhi deri te ndërprerja e ndeshjes Rumani-Kosovë, deklaratat nga UEFA e Kombëtarja

Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është braktisur në kohën shtesë të premten vonë, pasi futbollistët e Kombëtares kosovare e lëshuan fushën në Bukuresht duke u ankuar për thirrje raciste ndaj tyre nga tifozët rumunë.

UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në uebsajtin e saj se ndeshja është braktisur dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, tha se vendimi për braktisjen e ndeshjes u mor nga federata kosovare e futbollit, trajneri Franco Foda dhe vetë ekipi, pas “thirrjeve raciste” kundër Kosovës.

“Ne, si federatë, trajner dhe ekip, kemi vendosur të mos marrim pjesë në një ndeshje ku nuk respektohen vlerat themelore të UEFA-s. Jo vetëm që s’u respektuan vlerat, por kishte diskriminim racor, prandaj ne vendosëm që nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë për herë të dytë në stadiumin e njëjtë dhe nga tifozët e ndeshjet”, tha Shala në një konferencë për media në Bukuresht.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tha se kishte thirrje “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”, nga tifozët vendës, dhe se e kishte njoftuar gjyqtarin e ndeshjes “së paku tri herë” para se ekipi kosovar ta braktiste fushën.

Rrahmani dhe shtabi teknik e ekipit verdhekaltër i udhëzuan futbollistët të largohen nga fusha dy minuta pa përfunduar ndeshja në Arena Bukuresht, kur rezultati ishte 0:0, derisa lojtarët e Rumanisë qëndruan në fushë.

Pas diskutimeve për rreth një orë mes gjyqtarit të ndeshjes dhe përfaqësuesve të të dyja kombëtareve, lojtarët e Kosovës nuk pranuan të ktheheshin në fushë edhe pse u ishte thënë se kushtet ishin përmirësuar për vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë në minutën e 92-të.

Gjyqtari danez Morten Krogh u kthye në fushë dhe i kërkoi ekipit rumun ta rinisë lojën dhe e pezulloi atë më pas, sipas rregullores së UEFA-s.

Tani, UEFA pritet të hapë procedurë disiplinore për këtë ndeshje, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbjen e saj me rezultat zyrtar për mospranimin për t’u kthyer në fushë.

Kjo është hera e dytë në dy vizitat e fundit të Kosovës në Bukuresht brenda një viti që ndeshja ndërpritet për shkak të thirrjeve të tifozëve vendës kundër Kosovës.

UEFA e gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë me 52 mijë euro, si dhe e dënoi me një ndeshje pa tifozë, pas një hetimi për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës në shtator 2023.

Ajo ndeshje mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht ishte ndërprerë për rreth një orë, pasi tifozët vendës kishin bërë thirrje dhe e kishin shpalosur një pankartë “Kosova është Serbi”, para se të rifillonte pas qetësimit të situatës dhe heqjes së pankartës.

Rumania dhe Kosova po përballeshin në një ndeshje të rundit të pestë në Grupin C të Ligës C – kategorinë e parafundit në Ligën e Kombeve.

Rumania është lidere e grupit me 12 pikë dhe i nevojitej vetëm një barazim me Kosovën për ta siguruar promovimin në Ligën B.

Ndërkohë, Kosova, që ka 9 pikë, synonte ta mposhte Rumaninë sonte dhe të fitonte ndeshjen e fundit në grup kundër Lituanisë në Prishtinë dhe të shpresonte që Rumania të ndalej së paku me një barazim nga Qiproja për të pasur mundësi ta fitojë grupin.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img