4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Si e mbajtën të fshehur Kurti dhe Bislimi kërkesën e Serbisë për “arkivat” e UÇK-së?

Më 17 qershor, në serbisht e shqip nga zyra e presidentit në Beograd, kumboi emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e përmendi UÇK-në në kontekst të kërkesës së tyre për autoritet e Kosovës, për siç thoshte ai hapjen e arkivave të gueriles kosovare.

“Ne po kërkojmë të dhënat se ku ndodhen varrezat masive me civil e ushtarë serbë, por neve na kanë thënë se kjo arkiv nuk ekziston. Ne kemi gjetur dëshmi se kjo arkiv ekziston. Mund ta gjeni këtë në librin që flet për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, një libër që ata e kanë shpërndarë në krejt botën”, tha Vuçiq më 17 qershor të këtij viti, vetëm dy ditë pas takimit që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, shkruan Gazeta Insajderi.

Madje, Vuçiq atë ditë para mediave, fliste edhe për autorin e librit, Nusret Pllanën.

“Autor është Nusret Pllana. Ai deklaron se materialin e shfrytëzuar për përmbajtjen e këtij libri e ka marrë nga depoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ata tani na sigurojnë se jo që nuk ka depo, por as arkiva s’ka ekzistuar. Natyrisht që kjo bëhet për mos t’i rënë në gjurmë krimeve të të ashtuquajturës UÇK”, pati deklaruar Vuçiqi nga zyra e tij, siç tha të ju tregoj të gjithëve sesa vështirë e kishte në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 15 qershor, në Bruksel.

Se ishin kërkuar arkivat e UÇK-së nga delegacioni i Kosovës, e kishte bërë të ditur vetëm presidenti serb, por jo edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Menjëherë pas takimit që kishte zhvilluar me Vuçiqin, Kurti kishte folur gjatë nga Brukseli për mediat e Kosovës, dhe jo vetëm, por askund nuk e kishte përmendur kërkesën e palës serbe.

“Sot u zhvillua takimi i parë në Bruksel me delegacionin nga Serbia. Unë isha bashkë me zëvendësin tim Besnik Bislimi i cili është përgjegjës për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe kjo u bë më ndërmjetësimin e zotërinjve Borel dhe Lajçak”, kishte thënë Kurti më 15 qershor, shkruan Gazeta Insajderi.

“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë, përderisa pala tjetër po fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozimi i parë ishte që ta avancojmë marrëveshjen CEFTA të Ballkanit Perëndimor në marrëveshje SEFTA me ç’rast do ta përdorim modelin e shteteve si Islanda, Lintenshtajni dhe Norvegjia, që kanë me Bashkimin Evropian pra EFTA- EEA”, kishte thënë tutje Kurti para mediave.

Më tej kryeministri i kishte shpjeguar në detaje katër propozimet e tij, pa e përmendur asnjëherë çështjen e hapjes së arkivave.

Ai për këtë proces nuk kishte folur, as kur kishte pranuar pyetje të panumërta nga gazetarët.

Linku i plotë i deklarimit të Albin Kurtit. 

Kjo çështje u ringirt vetëm para dy ditësh, pas takimit të fundit të Besnik Bislimit, zëvendëskryeministrit të Kosovës, me palën serbe.

I dyti i qeverisë, pas takimit me delegacionin serb gjatë dy ditëve të kësaj jave, tha se kanë gjetur pajtueshmëri për temat që mund të diskutohet nga niveli i lartë politik – takim ky që nuk pritet të ndodh gjatë këtij muaji.

Gjatë takimit të nivelit të ekspertëve, Bislimi tha se pala serbe është pajtuar në parim për hapjen e arkivave shtetërore për çështjen e të pagjeturve, por tha se Serbia kërkon edhe hapjen e arkivave të UÇK-së.

“Ne kemi evidentuar se problemi kryesor për çështjen e të zhdukurve me forcë është mos gatishmëria e palës serbe për hapjen e arkivave shtetërore. Ne kemi diskutuar edhe për kthimin e disa mbetjeve mortore të viktimave që janë gjetur në Kishevak. Po ashtu ne kemi kërkuar mos pjesëmarrjen e (Velko) Odalloviqit në delegacionin serb. Pala serbe në mënyrë deklarative kanë thënë se janë dakord të hapin gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat në Kosovë dhe të UÇK-së”, tha ai pas takimit, shkruan Gazeta Insajderi.

Menjëherë pas kësaj deklarate, kanë plasur reagimet në drejtim të Bislimit – që nga organizatat e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri tek opozita dhe shoqëria civile.

Pas një lum kritikash që mori për rreth dy ditë, ka reaguar tek mbrëmë zëvendësi i Kurtit. Ai tha se deklaratat e tij rreth marrëveshjes për hapjen e arkivave të UÇK-së është shtrembëruar.

Në një qëndrim të gjatë në profilin e tij në Facebook ka thënë se të gjitha dokumentet rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përkasin Arkivit Shtetëror të Kosovës.

“Ato kane qenë dhe vazhdojë të jenë të hapura, janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen si nga vendorët ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshi këtu gjykatat vendore e ndërkombëtare por edhe UNMIK apo EULEX. Janë pjesë e rëndësishme e dokumentarëve dhe librave të prodhuara gjeri më tani. Në këto arkiva nuk ka asgjë të fshehtë apo të klasifikuar, njësoj siç nuk ka asnjë arsye për të fshehur”, ka shkruar Bislimi në profilin e tij në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri mbrojtëse dhe jo agresore dhe askush nuk e ka kontestuar apo konteston pastërtinë e luftës së saj. Andaj është më se e logjikshme që edhe udhëheqës si z. Lajcak kanë mundur dhe vazhdojnë të kenë mundësi për qasje të plotë në këtë segment të arkivës shtetërore të Kosovës”, është shprehur Bislimi.

“Në këtë kontekst, e vetmja palë që përfiton nga dakordimi i arritur në Bruksel (në rast se respektohet nga Serbia dhe për këtë mund të diskutojmë gjithsesi), është pala kosovare, e cila fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur. Përfundimit të ankthit të familjeve të këtyre personave do të duhej t’i gëzohemi të gjithë, e jo të tmerrohemi nga suksesi eventual i ekipit tonë të dialogut”.

Ai ka thënë se ata që kanë dalë me sulme ndaj deklaratave të tij me argumentimin se dakordimi për hapjen e arkivave e ndryshon narrativen e “fajtorëve” për personat e zhdukur kanë rënë në atë kurth me qëndrimet e tyre të deritanishme./Gazeta Insajderi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img