0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shyqri Haxha thotë se s‘ka bërë asnjë shkelje në Telekom, por se ndaj tij është bërë përndjekje politike

Prishtinë – Në seancën e se martës, në fjalën përfundimtare, i akuzuari Shyqri Haxha ka deklaruar se ndaj tij është bërë përndjekje politike pa asnjë shkelje, në rastin ku ai po akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme si ish- kryeshef ekzekutiv i PTK-së.

“Ky projekt në fjalë që unë sot akuzohem ka fillu para se unë të vi në Telekomin e Kosovës dhe ka vazhdu deri në shkëputjen finale pasi që unë kam dal nga Telekomi i Kosoves”, ka deklaruar Haxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ai ka shtuar se qëndron prapa çdo veprimi që e ka bërë në kompani përfshirë edhe projektin e faturimit, e që sipas tij, ka qenë projekti më i mirë për rritjen e vlerës së Telekomit.

Ai tha se ndërhyrjet politike të dëmshme kanë ndërprerë këtë projekt në mënyrë të njëanshme, e që sipas tij, e kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës.

Në fund të fjalës së tij përfundimtare, Haxha ka deklaruar se nuk ndihet fajtor, por përkundrazi ndihet krenar që është munduar të implementoj një projekt të tillë, e që sipas tij, do të zhvillonte Telekomin e Kosovës.

Ndërkaq, paraprakisht fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim mbrojtësi i tij, avokati Xhevdet Smakiqi, duke thënë se konsiderojnë se është vërtetuar plotësisht dhe në tërësi pafajësia e të mbrojturit të tij.

Po ashtu, ai ka thënë se i mbrojturi i tij në mënyrë të paprecedent në sistemin juridik të Kosovës është përndjekur për 12 vite, e që sipas tij, janë shkelur dispozitat esenciale të Kodit të Procedurës Penale.

Në lidhje me nënshkrimin e të akuzuarit Haxha, avokati Smakiqi ka thënë se i njëjti ka qenë vetëm formal dhe pa asnjë efekt juridik.

Tutje, ai ka deklaruar se në të gjithë shqyrtimin gjyqësor është vërtetuar se veprimet e të mbrojturit të tij edhe sa i përket shkëputjes së kontratës kanë qenë me zero efekt.

Sipas tij, një gjë të tillë e ka bërë aksionari duke ndërhyrë në bordin e drejtorëve, duke e detyruar të njëjtin që ta shkëpuste kontratën, duke theksuar se i mbrojturi i tij nuk ka vendosur asnjë nënshkrim për shkëputjen e kontratës.

Në fund, avokati Smakiqi ka deklaruar se ndaj të akuzuarit Haxha është shkaktuar dëm i madh material dhe jo material, duke i propozuar gjykatës që për të njëjtin të nxjerrë aktgjykim lirues.

Në anën tjetër, prokurori Bashkim Zeqaj fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, të cilën e ka elaboruar në pika të shkurtra.

Ai ka thënë se në fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim është paraqitur dhe argumentuar nga pika bazë, se çka nënkupton personi përgjegjës, kuptimi dhe roli i tij, si dhe roli i të akuzuarit Haxha në këtë çështje që nga nënshkrimi i kontratës.

Tutje, prokurori Zeqaj tha se statuti i PTK-së i 13 tetorit të vitit 2009 është baza themeltare, e që sipas tij, ky statut përcakton se kompania ia dorëzon planin e saj të punës aksionarëve.

Sipas tij, kjo do të thotë se kontrata është nënshkruar pa aprovim nga askionari, duke shtuar se kur ka ardhur lista e projekteve nga askionari, projekti në fjalë nuk ka qenë i miratuar.

Po ashtu, prokurori Zeqaj ka thënë se në çoftë se aksionari nuk ka pasur të drejtë të ndërhyjë në punët e kompanisë, atëherë pse i njëjti ka kërkuar shkëputjen e kontratës.

Prokurori Zeqaj ka deklaruar se mbrojtja gabimisht i referohet asaj që thotë se statuti është i kundërligjshëm.

“I kundërligjshëm, por mbi të gjitha ka qenë në fuqi në kohën kur është nënshkruar ajo kontratë”, ka shtuar tutje ai.

Në fund, prokurori Zeqaj i ka propozuar gjykatës që i akuzuari Haxha të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Fjalën përfundimtare të prokurorit Zeqaj e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Lulzim Sokoli.

I njëjti ka deklaruar se mbetet pranë kërkesës pasurore të precizuar me 16 qershor 2022, duke theksuar se Telekomi konsideron se i akuzuari Haxha ka lidhur kontratë të dëmshme, e që sipas tij nga e njëjta PTK-së i është shkaktuar dëm tepër i madh, saktësisht 9 milion e 891 mijë e 22.81 euro.

Andaj, ai njëjti ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari Haxha të shpallet fajtor, si dhe të aprovohet kërkesa pasurore juridike.

Ndryshe, në fillim të seancës i akuzuari Haxha ka përfunduar dhënien e mbrojtjes.

I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj, ndër të tjera ka deklaruar se PTK-ja ka hapur tender, si dhe ka përdorur shërbime të kompanive të tjera edhe pse e kishte rastin në arbitrazh me kompaninë “Amdocs”.

Gjithashtu, në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave të propozuara si në aktakuzë.

Gjithashtu, gjykata ka administruar edhe procesverbalin e takimit, ku sipas prokurorit Zeqaj është bërë ndryshimi i statutit të 13 tetorit të vitit 2009, si dhe procesverbalin e mbledhjes së 22 dhjetorit të vitit 2010, ku sipas të akuzuari Haxha konstatohet se statuti i 13 tetorit 2009 ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.

E që në lidhje me to, prokurori Zeqaj ka thënë se të njëjta paraqesin prova përcaktuese të cilat e vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Haxha e ka kryer veprën penale.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet më 3 mars 2023.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Shyqri Haxhën se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img