-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Shyqri Haxha lirohet nga akuza për lidhje të kontratës së dëmshme sa ishte kryeshef i PTK-së

Shyqri Haxha është liruar nga akuza se kishte lidhur kontratë të dëmshme sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Aktgjykimi lirues është shpallur të premten nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata në këtë përfundim ka ardhur pasi që duke u bazuar në Ligjin për Prokurim Publik me nr. 2003/17 i vitit 2008, i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes se kontratës, me nënshkrimin nga zyrtari i prokurimit të PTK-se dhe përfaqësuesi i “Amdocs” kontrata hynte ne fuqi ndërsa nënshkrimi nga kryeshefi Shyqri Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi per PTK-në”.

Pala e dëmtuar, Posta dhe Telekomi i Kosovës për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në konteste të rregullt juridiko-civil.

Pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë ankesa brenda 30 ditë përmes kësaj gjykatë në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e fundit, në fjalën përfundimtare, i akuzuari  Haxha kishte deklaruar se ndaj tij është bërë përndjekje politike pa asnjë shkelje.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img