1.7 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Shumë projektligje peng i mungesës së kuorumit

Mungesa e kuorumit në seanca dhe mospjesëmarrja e deputetëve në votim, është një praktikë që po e përcjellë legjislaturën aktuale që nga fillimi i saj.

Kjo ka bërë që shumë projektligje të mbesin pa u miratuar, duke i bartur votimin e tyre nga njëra seancë te tjetra. Monitoruesit e Kuvendit shprehin shqetësim, pasi sipas tyre, kjo ka bërë që Legjislativi të shënojë pak rezultate.

“Mungesa aktuale e deputetëve, nuk mund ta çojmë në votim…Realisht ne kemi kuorum, por janë në byfe deputetët….Ne nuk mund ta vazhdojmë seancën, për arsye se s’ka votim.”

Këto janë disa sekuenca nga Kuvendi i Kosovës, ku drejtuesit e seancave plenare, i kanë ndërprerë punimet në mungesë kuorumi, ose mospjesëmarrje në votim. Instituti Demokratik i Kosovës që e monitoron punën e Kuvendit, shpreh shqetësim për funksionimin e legjislaturës aktuale. Artan Murati, nga ky institut, thotë se kjo ka bërë që Kuvendi të ketë shumë pak rezultate të punës dhe shumë pak ligje të miratuara.

“Jemi duke e parë një funksionim kaotik të Kuvendit të Kosovës, për vetë faktin se nuk ka vendimmarrje brenda Kuvendit. Përkundër faktit se mund të ketë seanca, ato po dështojnë për shkak të mungesës së kuorumit, ose mungesës së pjesëmarrjes në votim nga ana e deputetëve”, tha Murati për Radio Kosovën.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, vlerëson se dështimi i seancave po ndodh për shkak të papërgjegjësisë së vetë partive në pushtet, por thotë se kjo është taktikë e tyre, pasi që tentojnë ta shmangin debatin për shumë ligje të dobëta që i sjellin. Ajo fajëson edhe Kryesinë për paaftësi menaxhimi, ndërsa i arsyeton veprimet e opozitës.

“Jo rrallëherë mungesa në seanca mund të jetë një shprehje e një veprimi politik, në mënyrë që t’i tregojë Qeverisë në rastin tonë se nuk i kanë numrat dhe janë një Qeveri që e kanë shumë problem t’i shtyjnë përpara çështjet e rëndësishme”, tha Nagavci për Radio Kosovën.
Kritika për mënyrën e funksionimit të Kuvendit bëhen nga deputetët e grupeve të ndryshme pothuajse në çdo seancë. Madje edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës. Një prej tyre është edhe Milaim Zeka, i Nismës Socialdemokrate, i cili në njërën nga seancat ishte mjaft i ashpër.

“Besoj që shumica nga që sot jemi prezentë kemi mundur të jemi edhe ne me familjet tona, e jo ne të vijmë e për shkak të disa të tjerëve, të shtyhen seancat pafundësisht. Është me të vërtetë marre para qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Zeka.

Mungesa në seanca e ka sjellë situatën deri aty, sa për diçka që e kanë obligim deputetët, të marrin falënderim nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Faleminderit për korrektësinë. Dua ta përgëzoj Grupin Parlamentar 6 plus, të cilët janë 100 për qind sot në sallë”, ka thënë Veseli.

Sipas platformës votaime.org, deri më tani, Kuvendi e ka përmbushur vetëm 18 për qind të agjendës legjislative.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img