Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, ka thënë se duhet të prishet koalicioni me Partinë e Isa Mustafës. Ka argumentuar se këtë hap duhet ndërmarrë për shkak se LDK e dëshiron dobësimin e PDK-së. Dështimet e koalicionit, sipas tij, janë gabime të kryeministrit për të cilat PDK-ja nuk duhet ta paguajë faturën e dështimeve.
Idenë për të prishur koalicionin po e vazhdojnë deputetët e PDK-së. Ish-Kryetari i Lipjanit, Shukri Buja ka deklaruar se nuk e sheh të arsyeshme vazhdimin e bashkë-qeversisjes me LDK-në, sipas tij, LDK-ja nuk ka vizion politik e as nuk është partnere korrekte.
“LDK Shpreson shumë në Gjykatën Speciale dhe dëmin që mund t’u shkaktohet partive të dala nga lufta, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nacionale”, ka deklaruar Buja.
Buja edhe më herët ka dalë kundër qeverisjes me LDK’në, duke thënë se gjithçka që po bën Kryeministri është në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Madje, Buja në një prononcim për Gazetën Express i ka numëruar dështimet e koalicionit ai ka thënë se deri më tash koalicioni nuk ka arritur ta kalojë në Parlament Demarkacionin e me gjasë s’do të kalohet as Asociacioni.