FC Prishtina ka njoftuar se ndeshja ndaj Dritës është shtyrë sërish, teksa tani duhet pritur për vendosjen e një date tjetër.
Kjo ndeshje i takon javës së tretë në Superligën e Kosovës, por ende nuk është zhvilluar – teksa deri më tani është zhvilluar edhe java e katërt.
Kjo ndeshje fillimisht u shty për shkak se Ballkani luajti kundër Shkupit në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Konferencës.
Tani, klubi kryeqytetas ka njoftuar se ndeshja e planifikuar për t’u zhvilluar të enjten, është shtyrë shkaku se do të luajë Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave.
Njoftimi i plotë nga FC Prishtina:
“Sërish shtyhet ndeshja Prishtina – Drita
Ndeshja e xhiros së tretë në Albi Mall Superligën e Kosovës, FC Prishtina – Drita është shtyrë për herë të dytë.
Derisa herën e parë shtyrja erdhi për shkak të ndeshjes Ballkani – Shkupi, e cila u zhvillua të enjten e kaluar në Ligën e Konferencës në stadiumin tonë, “Fadil Vokrri”, sfida e planifikuar për të enjten që vjen është shtyrë për shkak se luan Përfaqësuesja e Kosovës (femrat).
Për datën e re të zhvillimit të këtij takimi do të njoftoheni me kohë pasi që të vendosë Komisioni i Garave”.