-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Shtyhet seanca në rastin ku ish-drejtori i Kardiologjisë, Gani Bajraktari kërkon kthimin në postin e drejtorit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është shtyrë i shqyrtimit kryesor, në rastin ku ish-drejtori i Klinikës të Kardiologjisë, Gani Bajraktari ka paditur Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK), ku po kërkon kthimin në postin e ushtruar si drejtor.

Deri te shtyrja e seancës ka ardhur si pasojë e mungesës së përfaqësuesit të SHSKUK-së, Dibran Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mungesën e përfaqësuesit Zogaj e ka konstatuar gjykatësja Ilire Vitija e cila tha se i njëjti i është drejtuar gjykatës me e-mail përkatësisht me 23 mars 2023, ku kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet.

Gjykatësja Vitija shtoi se Zogaj e kishte dorëzuar edhe sot një parashtresë me kërkesë për shtyrjen e seancës së sotme me arsyetimin se në të njëjtën datë ka seancë të caktuar në Gjykatën Themelore në Prizren e cila datë e seancës është caktuar para se të caktohet seanca për këtë çështje gjyqësore.

Një kërkesë të tillë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i paditësit Bajraktari avokati Selim Nikçi i cili tha se nuk qëndrojnë pretendimet e të paditurës se ai për seancën që e ka sot është thirrur më herët pasi që ai ishte ne seancën e kaluar ku u njoftua për datën e kësaj seance dhe nuk theksoi se ka gjykim tjetër për sot.

Sipas Nikçit nuk ka prova të mjaftueshme për shtyrjen e kësaj seance.

Ndërkaq, gjykatësja Vitija e ka aprovuar kërkesën për shtyrjen e seancës së sotme, ndërsa e radhës u caktuar më 2 maj 2023.

Ndryshe, ish-drejtori i Klinikës të Kardiologjisë Prof. Dr. Gani Bajraktari bashkë me 37 të akuzuar të tjerë po përballen me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ku po akuzohen për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, në rastin e njohur ndryshe si “Stenta 2”.

Pasi që e paditura ShSKUK kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendim më 11 nëntor 2022, ku në seancën e kolegjit të mbajtur më 9 nëntor 2022 kishte vendosur të prishet aktgjykimi i shallës së parë në pjesën miratuese të tij, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim më 18 dhjetor 2020, përmes të cilit e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit Bajraktari.

Gjykata e ka anuluar si të pabazuar paragrafin e dytë të dispozitivit të vendimit të Komisionit të Ankesave të ShSKUK-së, lidhur me pezullimin e paditësit nga posti si drejtor.

Përmes aktgjykimit të lartcekur, gjykata e kishte detyruar të paditurën që në emër të kompensimit të të ardhurave përsonale, t’ia paguajë paditësit shumën prej 2 mijë e 157 euro, ndërsa në emër të kontributit personal, shumën prej 252 euro si dhe në emër të tatimit në pagë shumën prej 240 euro, po ashtu edhe t’ia paguajë paditësit shpenzimet procedurale 1 mijë e 97 euro.

Ndërkaq, gjykata e kishte refuzuar pjesën e kërkesëpadisë ku paditësi ka kërkuar kthimin në vendin e punës, si dhe kompensimin e diferencës së pagave mujore nga 8 shtatori 2017 deri më 8 shtator 2020.

Paditësi Gani Bjaraktari më 15 janar 2020 përmes parashtresës kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë së ushtruar ndaj SHSKUK-së, duke kërkuar që të detyrohet kjo e fundit që në emër të pagave të realizuara dhe që do duhej t’i realizonte në postin e Drejtorit të Klinikës Kardiologjisë për periudhën prej datës 15 korrik 2016 deri më 9 shtator 2017, t’ia paguajë shumën prej 8 mijë e 10 euro.

Paditësi ka kërkuar që e paditura t’ia paguajë në emër të trustit pensional shumën prej 890 euro, dhe tatimin në ATK në shumë prej 890 euro, nga 15 korrik 2016 deri në pagesën definitive.

Ndryshe, sipas padisë së 29 gushtit 2016, Prof.Dr Gani Bajraktari ka paditur Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (QKUK) dhe po kërkon anulimin e vendimit dhe kthimin në postin e drejtorit të Klinikës Kardiologjisë.

Paditësi në padi thekson se ka e ka mbajtur postin e drejtorit të Klinikës Kardiologjisë për vite me radhë dhe këtë me rezultate të larta, por përkundër kësaj më 15 korrik 2016 e paditura përmes vendimit të Komisionit të Ankesave, të njëjtin e ka larguar përkohësisht nga puna.

Mirëpo, Bajraktari kishte ushtruar ankesë, me çka kishte rezultuar në vendimin tjetër të Komisionit të Ankesave të të paditurës, i 12 gushtit 2016 përmes së cilit është prishur vendimi për largim të përkohshëm, duke e pezulluar nga detyra e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, deri në një vendim tjetër.

Në këtë vendim, njëkohësisht është obliguar e paditura që ta caktojë paditësin në punë dhe detyra të punës sipas përgatitjes profesionale që ka.

Paditësi Bajraktari në padi pretendon se vendimi i lartcekur, i marrë nga ana e të paditurës është në kundërshtin me dispozitat ligjore në fuqi, pasi që Ligji i Punës neni 73, pika 1.1 , edhe pse jo shprehimisht e krijon bazën për largim të përkohshëm nga puna, vetëm nëse procedura penale e iniciuar ndaj paditësit, ka të bëjë me shkelje të detyrave të punës në vendin e punës të të punësuarit.

Në rastin e paditësit, thuhet se procedura është iniciuar në lidhje me institucione tjera mjekësore, e jo në lidhje me të paditurën në fjalë.

Mbi bazën e lartcekur, paditësi Bajraktari po kërkon nga gjykata që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i Komisionit të Ankesave i QKUK-së, si dhe të detyrohet kjo e fundit që Bjaraktarin ta kthejë në postin e drejtorit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga ky post.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img