Shteti po vazhdon t’i mbyllë veshët ndaj raportimeve për keqpërdorimin e rrymës në veri të vendit. Tash e sa vite, dyshohet se energjia elektrike, e cila nuk paguhet prej banorëve aty, po përdoret për prodhimin e kriptovalutave. Viteve të fundit në katër komunat e veriut ka shkuar duke u rritur shpenzimi i energjisë. Pavarësisht kësaj, institucionet vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjet për këtë temë.
Energjia elektrike dyshohet se keqpërdoret në veri, aty ku shpenzimet e energjisë elektrike nuk paguhen nga banorët e zonës, por nga shteti. Raportohet se viteve të fundit janë vendosur mijëra pajisje që prodhojnë valuta digjitale në këtë pjesë të vendit, pajisje që shpenzojnë shumë energji.
Por, ndonëse raportime për këtë çështje bëhen pothuajse çdo javë, asnjë fjalë se ka thënë deri tash as Prokuroria e as Qeveria e Kosovës.
Gazeta Express ka dërguar pyetje qe disa javë në këto dy institucione, por që s’ka marrë ende përgjigje.
Kjo temë është përmendur sërish sot në Komisionin Parlamentar për Ekonomi.
Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka shpjeguar arsyen se pse Policia e Kosovës nuk ndërhyn në veri të vendit në lidhje me dyshimet se energjia elektrike në veri po keqpërdoret për prodhimin e kriptovalutave.
“Çështja e mospagesës së rrymës në veri, diskutimi i jonë i parë sa i përket rrymës ka qenë që se pse me u rrit rryma në verë kur kjo nuk rregullohet kështu. E vetmja arsye që është thënë ka qenë se ato banesa nuk janë të banueshme, janë vetëm për cryptomining (‘rrëmim’ i valutave dixhitale). Policinë nëse e dërgon, për çka e akuzon. Nëse ia merr pajisjet për shfrytëzim të energjisë, të thotë pse s’po ia merr edhe kojshisë makinën e teshave, ta marrë shembull. Ne kemi mendu që kjo do duhej të jetë e rregullume që ne të kemi mundësi të reagojmë kur kemi këso lloj keqkuptime”, tha Kusari.
E dyshimet për keqpërdorime i shtojnë edhe më shumë të dhënat e KOSTT’it, për konsumin e energjisë atje, viteve të fundit.
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), i kanë thënë Gazetës Express, se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje në komunat veriore.
Menaxherja për Komunikim dhe Relacione me Pubikun në KOSTT, Zana Bajrami-Rama, ka thënë se rritja e konsumit në vitin 2019 në raport me 2018’n ka qenë 7 përqind, derisa në vitin 2020, konsumi ka qenë për 13 përqind më i lartë krahasuar me vitin 2019.
“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në vitin 2019 në raport me vitin 2018 ka qenë 7% ndërsa në vitin 2020 konsumi në Veri ka qenë për 13 % më e lartë krahasuar me vitin 2019”, thuhet në përgjigjet e Bajrami-Ramës drejtuar gazetës.
E se në Kosovë janë blerë me të madhe paisje kompjuterike që prodhojnë kriptovaluta e dëshmojnë edhe statistikat e Doganës për importin e pajisjeve që përdoren për prodhimin e tyre.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Gazetës Express se gjatë këtij viti janë importuar pajisje për prodhimin e Bitcoin dhe kartela grafike në vlerë prej rreth 600 mijë euro.
“Për të kuptuar çështjen e Kriptovalutave duhet të dihet të kthehemi në kohen kur ka qenë Pika Kulminante e Interesimit për Blerje te Pajisjeve për prodhim të Kriptovalutave. Kjo në Kosovë ka ndodhë në vitin 2017 dhe 2018”, thuhet në përgjigjet e Stavilecit.
Ai ka bërë me dije se gjatë këtyre viteve janë blerë pajisje në vlerë rreth tetë milionë euro.
Rreth 3.4 milionë euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve antiminer që përdoren për prodhimin e Bitcoin, derisa 4.8 milionë euro për kartela grafike, që përdoren për prodhimin e pajisjeve te quajtur RIGA, që prodhojnë Kriptovaluta të tjera, si psh ETHERIUM.
Stavileci ka treguar se kanë hasur edhe në raste të kontrabandës me pajisje të tilla.
“Gjatë dy viteve të fundit Dogana e Kosovës i ka trajtuar dy raste të Kontrabandimit të Aparateve për Prodhim te Kriptovalutave dhe me ketë rast janë konfiskuar 47 Aparate te tilla (Riga)”, ka deklaruar Stavileci.
Ndryshe, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstentim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm./Gazeta Express