2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Shteti pagoi mbi 138 mijë euro spitalin turk për pacienten e cila ndërroi jetë

Një paciente 10-vjeçare nga Kosova fatkeqësisht nuk i mbijetoi sëmundjes së leukemisë akute dhe nuk arriti të kryente tranplantin e palcës kockore në spitalin ‘Medical Park’ në Turqi. Prindi e kishte njoftuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore më datën 11.06.2021 se vajza ka vdekur dhe nuk ka arritur t’i nënshtrohej intervenimit për tranplant.

Pas njoftimit të prindit, lënda u dërgua në rishqyrtim tek Bordi Ekzekutiv i cili e reduktoi shumën në 49 mijë euro më 14.07.2021. Por në fakt FSSH e kishte kryer pagesën më 28.06.2021, rreth dy javë pas njoftimit të prindit se vajza ka ndërruar jetë. Nga Fondi kanë thënë se po shqyrtojnë mundësinë për të kthyer mjetet mbrapshtë në rast se konstatohet se shërbimi ka pasur kosto më të ulët sesa pagesa

Pacientja 10-vjeçare (emër i njohur për redaksinë) e diagnostikuar me Leukemi Akute kishte aplikuar për trajtim në Turqi në spitalin ‘Medical Park’ në kuadër të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike në fund të vitit 2019. Aplikimi i ishte pranuar nga Bordi Ekzekutiv i Programit më datën 13 gusht të vitit 2020 në shumën prej 138,135 Euro

Gazeta ka siguruar të gjithë dokumentacionin për këtë rast nga burime, ndonëse FSSH nuk ka lejuar qasje në dokumente edhe më shumë se 1 muaj pas kërkesës.

Në raportin konziliar të lëshuar nga tre mjekë dhe ish-drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë në QKUK, thuhej se pacientja ka nevojë për “Trajtim urgjent jashtë vendit: Kemoterapi dhe radioterapi dhe transplant të palcës kockore”. Këto shërbime përfshiheshin në profaturën e prindit të marr nga spitali turk.

Pacientja kishte qëndruar për rreth tetë muaj në spitalin ‘Medical Park’ ku kishte ndërruar jetë dhe nuk kishte arritur t’i nënshtrohej intervenimit për transplantin e palcës kockore. Gjatë trajtimit, përveç shumës që ishte miratuar nga Programi, spitali kishte kërkuar nga prindi edhe 19 mijë euro për të siguruar një ilaç, para të cilat ishin siguruar me vetfinancim nga familja.

Pasi ndërroi jetë 10-vjeçarja dhe nuk kishte arritur të kryente intervenimin për transplantin e palcës, spitali ‘Medical Park’ kishte lëshuar një faturë në vlerë 138,135 Euro.

Prindi i të ndjerës i kishte dërguar një letër Fondit të Sigurimeve Shëndetësore i cili udhëhiqet nga Fatmir Plakiqi, të protokolluar më datën 11.06.2021, ku i kishte njoftuar se ndonëse donatori i palcës kockore përfshihej në shërbimin e spitalit, këta të fundit i kishin thënë se nuk mund ta sigurojnë atë për shkak të situatës me Covid-19. Ndonëse nuk u arrit të kryhej ky intervenim, prindi kishte pranuar të ofrohej si donator për vajzën e tij, shkruan Gazeta Shneta.

Në këtë letër ai poashtu e njofton FSSH-në se vajza ka ndërruar jetë dhe se ka paguar shumën prej 19 mijë eurove për sigurimin e ilaçit.

Pas kësaj letre, lënda e 10-vjeçares kishte shkuar sërish në rishqyrtim nga Bordi Ekzekutiv i Programit i cili atë kohë kryesohej nga Petrit Bruqi dhe kishte edhe katër anëtarë të tjerë. Përkundër kësaj, rreth dy javë pas pranimit të letrës më datë 28.06.2021 Fondi e paguan shumën sipas faturës së lëshuar nga spitali turk në vlerë prej 138,135 Euro, shkruan Gazeta Shneta.

Në faturë ishin vendosur tri kemioterapi më shumë sesa parashihej për të arsyetuar çmimin përfundimtar. E për këtë gjatë rishqyrtimit, Bordi Ekzekutiv i Programit kishte kërkuar sqarime nga spitali ‘Medical Park’ se pse janë vendosur kemioterapitë 5, 6 dhe 7 të cilat nuk parashihej të kryheshin në profaturën e lëshuar paraprakisht. Spitali ishte arsyetuar se gjendja e pacientes ishte përkeqësuar dhe nuk mund të parashikoheshin komplikimet.

Megjithatë Bordi Ekzekutiv pas rishqyrtimit dhe rivlerësimit të lëndës, më 14.07.2021 merr vendim që shuma prej 138,135 Euro të reduktohet në 49 mijë Euro. Por tanimë pagesa ishte kryer sipas shumës së aprovuar në vendimin e parë të BE-së.

Për këtë shfuqizim të vendimit të parë dhe reduktim të shumës së aprovuar, BE e kishte njoftuar Fondin më datën 15 korrik ku thuhej se janë aprovuar vetëm shërbimet që janë kryer në përputhje me profaturën, faturën dhe mendimin konziliar të SHSKUK-së. Në këtë njoftim poashtu ishte kërkuar që lënda të stopohej për procedura të mëtutjeshme. Por derisa ishte shkruar ky njoftim, paratë tashmë ishin transferuar nga buxheti i Kosovës në llogarinë e spitalit turk.

Fondi insiston të arsyetohet në vendimin e parë të Bordit Ekzekutiv

Pavarësisht njoftimit të prindit se vajza kishte ndërruar jetë dhe e ndjera nuk kishte arritur të kryente tranplantin e palcës kockore, zyrtarët e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore e kryen pagesën sipas faturës së spitalit ‘Medical Park’ çmimi i së cilës ishte arsyetuar me disa kemioterapi shtesë.

Zyrtarët e FSSH-së në një përgjigje për Gazetën Shneta kanë insistuar që të arsyetohen për pagesën, me vendimin e parë të Bordit të Programit për Trajtim Jashtë vendit. Ata nuk kanë dhënë sqarime pse u krye pagesa, ndonëse dy javë më herët kishin pranuar njoftimin e prindit se vajza ka vdekur dhe nuk ka arritur të kryente transplantin.

“Pagesa e lëndës është bërë në momentin kur është kompletuar dhe aprovuar nga Bordi Ekzekutiv (BE) i Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP),  sipas kritereve të UA 03/2017. Ndërsa sa i përket shkresës së familjarëve të pacientes, kjo shkresë kishte të bënte me pretendimin e palës se përveç shumës prej 138,135.00€ ( shumë e cila ishte aprovuar nga BE i TMJISHP) nuk është përfshirë edhe shuma prej 19,000.00€, të cilën sipas palës janë detyruar ta paguajnë vetë familjarët e pacientes (pagesa e bërë nga familjari për shërbimet që nuk ishin të aprovuara nga BE). Këtë shkresë e kemi përcjell tek BE për TMJISHP, të cilët ishin të informuar që kjo pagesë është ekzekutuar, përkundër qe nuk na është prezantuar asnjë dëshmi nga pala lidhur me pagesën e bërë për shërbimet që i janë aprovuar nga BE, po ashtu nuk kanë marrë për bazë edhe informatat plotësuese që kanë kërkuar vet nga spitali, BE ka shfuqizuar vendimin paraprak duke nxjerr një vendim të ri”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së.

Megjithëse e paguan faturën dhe u arsyetuan me vendimin e parë të BE-së, nga FSSH thonë se po shqyrtojnë mundësinë për të kthyer mbrapshtë shumën e parave që kanë paguar.

“Në njërën anë kemi pagesë me të gjitha dëshmitë për koston e shërbimit shëndetësor të aprovuar nga BE i TMJISHP, 2. Pretendimin e palës për pagesën cash pa dëshmi, 3. Anulimin e vendimit nga BE për TMISHP dhe nxjerrjen e një vendimi të ri, ne si Fond e kemi adresuar këtë lënde tek komisioni i barazimeve financiare me Institucionet Shëndetësore Private (ISHP) dhe aktualisht është në proces të barazimit financiar me këtë spital. Momentin kur mbyllet ky proces pas definimit të shumave të sakta, nëse kemi kosto me të ulët sesa pagesa, spitali urdhërohet t’i kthej mjetet”, thuhet në përgjigje.

Por ky nuk po del të jetë rasti i vetëm që bëhen pagesa të faturave, ndonëse pacientët vdesin gjatë trajtimit. Këtë e pohojnë vet zyrtarët e FSSH-së.

“Pagesa të tilla qe fatkeqësisht pacientet vdesin gjatë trajtimit kemi shpesh, por pagesat behën në bazë të faturave të shpenzimeve për pjesën sa kanë marrë shërbim e deri ne momentin që kanë ndërruar jetë, me aprovim paraprak nga BE i TMJISHP”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së.

Një kërkesë për kthimin e mjeteve nga spitali ‘Medical Park’ e kishte bërë edhe Bordi Ekzekutiv më datën 11 gusht 2021 drejtuar Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img