Site icon PrishtinaPress

Shteti nuk është pullë postale që mund të këmbehet

Administrata e Trampit ka filluar të çmontojë vendimet e paraardhësve të saj demokrat, Obamës e Klintonit, që nga sigurimet shëndetësore, marrërveshja me Iranin, ngrohja globale e deri te tarifat doganore me BE-në. Ka rrezik që edhe Kosova të llogaritet nga kjo administratë arrogante si “trashëgimi e Klintonëve” dhe të atakohet si e tillë. Prandaj duhet të kihet kujdes me këtë administratë.

“Korrigjimi” i kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë, po se se është spin, do të mbetet si një nga të suksesshmit, në kuadër të taktizimeve hileqare e hipokrite politike, por nëse është qëndrim politik, do të jetë një nga më të pamoralshmit e më të rrezikshmit, që është fabrikuar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.

Si spin mund të përdorej për t’iu kundërvënë projektit serb për formimin e një autonomie politike e territoriale të serbëve në veri të Kosovës, si edhe idesë së tyre iredentiste për t’iu bashkuar Serbisë. Lancimi i idesë për korrigjimin e kufirit, gjoja duke e aneksuar Kosova Luginën e Preshevës, po të paketohej mirë, mund të funksiononte për të amortizuar dy projektet agresive serbe.

Por, po të ishte spin, atë do ta dizajnonin dhe do ta pomponim zëdhënës të ndryshëm joseriozë dhe gazetarë aventurierë, e jo presidenti i Kosovës personalisht. Por pas disa javësh të monologut të tij, u mor vesh se kush qëndron para atij projekti. Xhon Bolltoni, dora vetë, pra këshilltari për siguri i presidentit Tramp. Bolltoni, një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, paska marrë përsipër “ta zgjidh” problemin e Kosovës, sipas gjasave duke e ndarë, më saktë duke e zhbërë shtetësinë e saj. Në dritën e zhvillimeve të reja, pas deklaratës së Bolltonit në Kiev të Ukrainës, ku u deklarua në favor të shkëmbimeve territoriale, presidenti Thaçi duket si viktimë e një skeme të faktorëve ndërkombëtar.

Pse u pranua iniciativa, e cila ka autorësi serbe?

Hashim Thaçi ka dy decenie në politikë, por deri tash nuk është shquar me ide për zhvendosjen ose korrigjimin e kufijve të Kosovës as në kohën e luftës, kur ka qenë drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, duke sheshit se ky qëndrim i është imponuar. Megjithatë mbetet pyetja: pse e ka pranuar këtë iniciativë, e cila në origjinalin e saj ka autorësi serbe, ndërsa tash pompohet nga Xhon Bolltoni?

Sikundër dihet, Ivica Daçiqi shumë vite më herët e ka lancuar idenë e ndarjes së Kosovës. Tashmë edhe Gebelsi tjetër i Millosheviqit, Vuçiqi, e ka pranuar idenë e copëtimit të Kosovës, por duke shkuar më larg se Daçiqi, meqë ai është në favor të krijimit të një kufiri ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Ideja e Vuçiqit është edhe më tinëzare, sepse ajo faktikisht e injoron Kosovën si realitet politik, shtetëror e gjeopolitik dhe kërkon marrëveshje me shqiptarët, praktikisht me Shqipërinë.

Pikërisht këtu shfaqet rreziku edhe më i madh, sepse ka indikacione se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është i involvuar në këtë projekt.

Edi Rama ka vite që me takimet me Vuçiqin, ka punuar për dobësimin e shtetësisë së Kosovës dhe për krijimin e partneritetit ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, në dëm të Kosovës. Vuçiqi, nga ana e tij, tregohet ngapak komik në paraqitjet e veta, duke i frikësuar serbët se nëse nuk e pranojnë projektin e kufizimit ndërmjet shqiptarëve e serbëve tash, pas disa vitesh do të detyrohen ta mbrojnë Vranjën nga ekspansioni shqiptar! Mirëpo, Daçiqi e Vuçiqi janë vetëm pasues të një ideologjie dhe projekti të mëhershëm paranojak të nazifashizmit serbomadh, sepse para këtyre dy gebelsave të kohës së Millosheviqit, i ashtuquajturi “”babai i kombit serb”, Dobrica Qosiqi e pati lancuar projektin e copëtimt të Kosovës.

Pra, serbët duan ta shkëmbejnë e ta copëtojnë atë që nuk është e tyrja, atë që e kanë humbur në luftë me NATO-n, me synimin që Kosovën si shtet ta fshijnë nga harta. Krerët e nazifashizmit të ri serbë kanë hesapet e veta dhe ne nuk mund t’ua ndërrojmë mendjen. Ata ëndërrojnë, spekulojnë, inskenojnë, sepse thjesht janë kriminelë, mbeturina të ideologjisë nazifashiste të Qosiqit e të Millosheviqit.

Kumbara Xhon Bollton në aksion

Deklarata shokuese e Xhon Bolltonit në Kiev dhe takimi në Aplbah të Austrisë, ku ideja e shkëmbimit të territoreve praktikisht u prana edhe nga BE-ja, e bën të qartë se ç’kërkon presidenti i Kosovës në këtë mes! Por, fakti që nuk ka mundur të rezistojë ndaj propozimeve të tilla komplotiste, që janë në kundërshtim me angazhimin e tij të deritashëm dhe me Kushtetutën e vendit, e zbulon dobësinë e tij si udhëheqës, që ka mbërritur në një stad ku nuk ka fuqi të mbrojë politika sovrane të vendit të vet. Kjo ilustrohet edhe më faktin se të gjitha partitë parlamentare shqiptare, kryeminstri dhe kryetari i Kuvendit janë deklaruar prerazi kundër propozimit të tij për “korrigjimin e kufirit”, ndërsa ai vazhdon ta mbrojë edhe më tutje atë propozim.

Shqetësim shtesë paraqet fakti se Hashim Thaçi i ka hyrë kësaj pune me establishmentin e vet, të përbërë edhe nga disa figura bizare të medies, të biznesit e të politikës, të cilët në kushte normale do të duhej të mos ishin aty ku janë, për shkak të lidhjeve të pasqaruara në të kaluarën me segmente të ndryshme pushtetore serbe e ruse. Cilat janë rreziqet?

E para, administrata e re amerikane, kjo e Donalld Trampit, nuk është administratë e vazhdimësisë së përkrahjes ndaj Kosovës, po e diskontnuitetit. Administrata e Trampit ka filluar të çmontojë vendimet e paraardhësve të saj demokrat, Obamës e Klintonit, që nga sigurimet shëndetësore, marrërveshja me Iranin, ngrohja globale e deri te tarifat doganore me BE-në. Ka rrezik që edhe Kosova të llogaritet nga kjo administratë arrogante si “trashëgimi e Klintonëve” dhe të atakohet si e tillë. Prandaj duhet të kihet kujdes me këtë administratë. E pakta derisa të sqarohet se a e ka zgjedhur këtë president populli amerikan, apo e kanë zgjedhur shërbimet ruse! Hetimet në këtë çështje janë duke vazhduar dhe Kosova do të duhej të priste epilogun e tyre më shumë se kushdo tjetër.

Edhe çka kihet para sysh?

E dyta, presidenti duhet ta ketë para sysh se për këto dhjetë vjet të pavarësisë, Kosova nuk ka dalë nga zona e shtetit të dështuar. Dominimi i praktikave të krimit të organizuar, privatizimeve bandietske, ekstremizmit primitiv fetar, vjedhjeve industriale të zgjedhjeve, sjelljeve violente ndaj pakicave, e kanë rritur dyshimin e aleatëve të Kosovës në aftësitë e saj për të mbijetuar si ishtet. Si pasojë, janë hapur edhe opcionet e ndryshme, duke përfshirë edhe zhbërjen e saj si shtet, me hapjen e çështjes së kufijve të saj. Hapja e kësaj teme nuk e minimiozn përgjegjësinë e Thaçit për këto dështime dhe absolutisht nuk e rritë besimin e akterëve ndërkombëtar në kredibilitetin e tij.

E treta, presidenti Thaçi do të duhej ta dinte se Trampi e ka shpallur “doktrinën” e tij në të cilën Bashkimi Evropian është shpallur armik i SHBA-ve. Për këtë arsye e mundshme që Trampi është i interesuar që armikut të posashpallur, Bashkimit Evropian, t’ia vë zjarrin në oborrin e tij, në Kosovë. Nëse Ballkani kthehet në konfikte ndëretnike, Bashkimi Evropian, pa ndihmën e SHBA-ve, thjesht do të kollapsonte. Kjo si duket është një dëshirë e Trampit, po edhe një projekt i Putinit. Përdorimi i çështjes së kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, për ta rindezur konfliktin, duket si një adut ideal, sepse në këtë çështje ndizen shumë lehtë urrejtjes e vjetra. Në fund të fundit, presidenti Thaçi do të duhej ta dinte se është synim absurd të tentohet “korrigjimi i kufijve” ndërmjet Kosovës e Serbisë, kur dihet fakti se Serbia e konsideron Kosovën territor të vetin dhe e ka të futur edhe në Kushtetutë. Duhet të dihet edhe diçka tjetër: në rast se dështon referendumi në Maqedoni dhe nëse zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë shkojnë keq, atëherë konflikti do të mund të përfshinte edhe këto shtete, pra, pothuajse gjithë të ashtuquajturin Ballkani Perëndimor. Bile është e mundshme që hapja e temës së kufijve është konceptuar pikërisht për ta stimuluar dështimin e referendmit për emrin në Maqedoni.

Kjo është një mënyrë që krizat të lidhen dhe të shndërrohen në një luftë ballkanike përgjatë “transverzales së gjelbër”, për ta vazhduar tragjedinë siriane, kësaj radhe në Evropë.

E katërta, duhet të mbahet në vëmendje se rikthimi i konflikteve në Ballkan, absolutisht nuk bëhet për t’i zgjidhur problemet konkrete që ekzistojnë. Sipas “doktrinës trampiane” konflikti synohet të rikthehet që, ndër të tjera, të bëhet një “zgjidhje përfundimtare” e çështjes së muslimanëve të Ballkanit, të cilët gjatë shekullit XX u kanë shpëtuar disa gjenocideve, por që në një konflikt të ri do të mund të goditeshin edhe më rëndë se sa në të kaluarën, kësaj here me involvimin direkt të Rusisë, me lejen e Trampit. Dobësimi dhe mundësisht shkatërrimi i muslimanëve në Ballkan, mund të jetë njëri nga objektivat e aleancës së tashme antiballkanike e antieuropiane Tramp-Putin.

Kjo do të krijonte mundësi të rindarjes së sferave të influencës ndërmjet SHBA e Rusisë, duke e përjashtuar BE-në, ndoshta edhe NATO-n.

E pesta, duhet të dihet se korrigjimi i kufijve përkatësisht shkëmbimi i territoreve, esencialisht është veprim gjenocidal, sepse i shkulë me rrënjë popujt nga trojet ku jetojnë me shekuj. Veprimet e tilla heret a vonë janë të dënueshme, sepse krimet e gjenocidit nuk vjetërohen dhe dikush gjithmonë do të procedojë denoncime në Gjykatën e Drejtësisë.

Në këtë kontekst, duhet të dihet poashtu se dëmi për Luginën e Presheves tashmë është bërë, sepse propozimi për “bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën” i ka futur në kurth e në lojë liderët e saj, duke i ekspozuar shqiptarët e atjeshëm si “element jolojal” ndaj shtetit, për çka mund të ndëshkohen me hakmarrjen e shtetit serb që në rastin e parë që do t’i jipet.

E gjashta, nuk do të duhej të hapeshin probleme të kësaj natyre për shtetin e brishtë të Kosovës, të cilin ende nuk e njeh as BE-ja, as OKB-ja e madje as NATO-ja, e cila ushtron mandat sigurie në Kosovë, sipas rezolutës 1244, e cila është ende në fuqi.

Ekspozimi i çështjes së kufijve është si një mall kur vihet në ankand. Me një Bashkim Evropian, rigjid, steril, populist dhe islamofob në masë të madhe, Kosova thjesht më së miri e ka pasur ta ruajë statu quonë e të presë kohë më të mira, meqë Serbisë po i ngutet për anëtarësim në BE, e jo Kosovës, e cila është shumë larg në këtë proces dhe edhe më larg në anëtarësimin në OKB e NATO.

Për të gjitha këto arsye që dihen, nëse duan të dihen, presidenti Thaçi duhet ta korrigjojë qëndrimin e tij në një spin medial e politik, të pompuar nga këshillarë joseriozë e nga gazetarë aventurierë. Sa nuk është bërë vonë për Kosovën. Ndonëse fakti që miqtë e kanë lënë Kosovën në baltë tashmë, dëshmon se pak mund të bëhet që të ndalohet skenari ogurzi.

 

Exit mobile version