Site icon PrishtinaPress

Shteti ia ndalon veprimtarinë Kryqit të Kuq të Serbisë me seli në Dragash

Ka disa vite që Kryqi i Kuq i Serbisë me seli në trevën e Gorës ushtron veprimtarinë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Ka disa vite që veprimtarinë po e ushtronte ilegalisht në territorin e Kosovës.

I vendosur në fshatin Vranishtë të Dragashit, Kryqi i Kuq i Serbisë për disa muaj ka qenë subjekt i hetimeve nga ana e organeve të sigurisë.

Madje, muaj më parë, T7 kishte raportuar se një kamion i kësaj organizate ishte ndaluar nga Policia teksa po barte pako ushqimore dhe higjenike për familje në nevojë.

Kjo kishte ndodhur pasi ngasësit e automjetit nuk arritën të prezantojnë dokumentacion të saktë rreth regjistrimit të kësaj veprimtarie për territorin e Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye, Inspektoria e Tregut ua ka ndaluar veprimtarinë kësaj organizate në terriotorin e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga një aktvendim që e ka siguruar T7.

Siç shihet në dokument, në ditën kur kamioni është ndaluar nga policia, i pranishëm ka qenë sekretari i Kryqit të Kuq të Serbisë dega Dragash, Zeqir Zurapi dhe shoferi Sinisha Dançetoviq.

Lajmi është konfirmuar të enjten edhe nga Inspektorati i Tregut në Dragash.

“Inspektori i Tregut të Komunës së Dragashit me datë 30.01.2023, rreth orës 17:15, pas thirrjes nga ana e Policisë kanë inspektuar mjetin transportues, pronë e (Kryqit të Kuq të Serbisë) sipas dokumentacionit, mirëpo personat e përgjegjës nuk kanë arritë të prezantojnë dokumentacion të saktë rreth regjistrimit të kësaj veprimtarie për territorin e Republikës së Kosovës, nuk kanë prezantuar ndonjë leje veprimi nga organet kompetente, e as nga organizata ndërkombëtare, nuk kanë arrite të dëshmojnë Fatura të sakta për këtë mall i cili ka qenë në ngarkesë, Fletëdërgesë me të dhëna të pasakta, ku edhe Republikës së Kosovës i referohen me emërtim joadekuat”.

Sipas Inspektoriatit bazuar në gjithë këto, atyre u është ndaluar veprimtaria, deri në eliminimin e parregullësive”.

Një sqarim për gjithë këtë, T7 ka tentuar ta marrë edhe nga Sekretari i këtij institucioni, Zeqir Zurapi, por ai nuk pranoi të flas për televizionin.

Televizioni mëson se vite më parë, Zeqir Zurapit i është bastisur shtëpia në fshatin Rapçë nga Policia e Kosovës.

Ai është i njohur për aktivitetet në trevën e Gorës, që funksionon sipas ligjeve të Serbisë.

T7 ka tentuar të mësojë nëse policia po heton veprimtarinë e tij dhe të kryetarit të kësaj organizate, Nemrit Kajuks, por nga policia Rajonale e Prizrenit nuk iu janë përgjjur pyetje, njëjtë sikurse ajo e Dragashit.

 

Exit mobile version