-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Shteti fajtor”, kërkohen shkarkime lidhur me vrasjen e Sebahate Morinës

Hyrja e Këshillit Prokurorial të Kosovës u bllokua të mërkurën e 5 prillit nga një stendë përplot me faqe të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se shteti “ia shkeli të drejtën për jetë” Sebahate Morinës.

“Shteti fajtor për vrasjen e Sebahate Morinës” shkruhej në të kuqe në stendë.

Aksioni u zhvillua nga organizatat joqeveritare “QIKA”, Inject dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, që bënë thirrje për shkarkimin e personave përgjegjës në institucionet shtetërore.

Më 22 mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dështuan në detyrat e tyre për mbrojtjen e jetës së Morinës, e cila dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj, dy vjet më parë.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi, të prokurorit të rastit dhe të zyrtarëve policorë, të përfshirë në rast.

“Mënyra se si institucionet janë duke e trajtuar rastin, i bie thuajse nuk e kanë lexuar vendimin”, tha për Radion Evropa e Lirë Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive e organizatës “QIKA”, e cila ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për qytetarët e Kosovës.

“Kështu që, bashkërisht, vendosëm që vendimin e printuar, ta sjellim para kryeprokurorit të shtetit, në mënyrë që ta kenë më të lehtë leximin”, shtoi ajo.

Pak minuta pas aksionit para Këshillit Prokurorial, Prokuroria e Shtetit njoftoi se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti. Por, në njoftim nuk flitet për kërkesën për shkarkimin e kryeprokurorit Munishi.

Policia e Kosovës dhe Këshilli Prokurorial nuk iu përgjigjen pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë çështje, mirëpo Avokati i Popullit e konfirmoi më parë nisjen e një hetimi brenda policisë.

“Pas rekomandimeve tona, policia ka formuar një komision, i cili ka gjetur shkelje, dhe kanë filluar procedurat kompetente ndaj zyrtarëve policorë”, tha Avokati i Popullit.

Çfarë i ndodhi Sebahate Morinës?

Më 14 mars të vitit 2021, pak metra larg vendit të saj të punës në Prishtinë, Morina dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj, i cili, një vit më herët, ishte dënuar për dhunë në familje nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Sebahatja është në mesin e dhjetëra grave që kanë pasur fat të ngjashëm. Sipas të dhënave të institucioneve, 50 gra janë vrarë nga viti 2010 deri në fund të vitit 2022 në Kosovë. Në shumicën e rasteve, të dyshuar ose të akuzuar për vrasje kanë qenë bashkëshortët.

Më 30 nëntor të vitit të kaluar, një grua 35 vjeçe, shtatzënë, është vrarë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. I dyshuar kryesor ka qenë bashkëshorti i saj, i cili më pas ka vrarë veten. Viktima ka pasur urdhër për mbrojtje nga policia.

Duke reaguar pas këtij rasti, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se ai është “pasojë e papërgjegjësisë institucionale”.

Çfarë tash?

Vëllai i Sebahate Morinës, Fatmir Morina, ka thënë më herët se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka nxjerrë në pah “neglizhencën e policisë, gjykatave dhe të prokurorisë”. Ai është shprehur i zhgënjyer me mungesën e hetimeve.

E, për një nga organizatorët e aksionit të së mërkurës, Edona Selimi, nga organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi “Inject”, nuk mjaftojnë vetëm hetimet.

“Është vetëm hapi i parë. Përmes shkarkimit hapen rrugë për rastet e tjera që kanë ndodhur dhe për të cilat nuk është ndërmarrë ende asgjë”, tha Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Një tjetër protestuese nga po e njëjta organizatë, Fjolla Koshi, tha se, përmes këtij aksioni, synohet që edhe grave të tjera t’u bëhet e ditur përkrahja që e kanë për t’i raportuar rastet e dhunës dhe “të mos ngurrojnë në këto raste”.

“Me anë të këtij vendimi, do të ketë një rrjedhojë tjetër për mënyrën se si do të funksionojnë institucionet në të ardhmen”, tha ajo.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, vetëm gjatë vitit 2022 janë raportuar 2.757 raste të dhunës në familje – prej tyre 2.278 viktima kanë qenë gra.

***

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat e vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img