Site icon PrishtinaPress

Shteti angazhohet pasi nënë e bir vdiqën në Pejë, familjarët: Institucionet s’na ndihmuan

Përveç dhimbjes, familjarët e nënë e bir që vdiqën tragjikisht pas vërshimeve në Pejë, kanë edhe indinjatë për institucionet, që sipas tyre, nuk u dolën në ndihmë.



Vërshimet e mbrëmshme në Pejë ua morën jetën një nëne rreth të 30-ave dhe djalit të saj 5 vjeç në Pejë. Tragjedia në lagjen “Asllan Çeshme” nxiti reagimin e krerëve të institucioneve, të cilët i shprehën ngushëllime familjes Ademaj.

Një prokurorja e Krimeve të Rënda mbrëmë ishte në vendin e ngjarjes si dhe në spital, ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.


Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria është e angazhuar “me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave” që të ndihmojnë në “përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme”, shkroi Kurti në një postim në Facebook, ku u shprehu ngushëllime familjarëve, duke e cilësuar humbje të madhe për vendin vdekjen e Dion dhe Mirsada Ademaj.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se dy jetët e humbura shkaku i vërshimeve në këtë qytet nuk mund të kthehen, por të tjerat tha se “janë sende që rregullohen”, pasi pa nga afër pasojat në qytet.

“Përveç këtij rastit tragjik që kanë humb jetën nëna me fëmijën, këto të tjerat janë sende që rregullohen. Por këto dy jetë nuk munden me u kthy. U shprehim ngushëllime familjes”, tha Muhaxheri. Ai tha se mbrëmë “ka qenë sasi e të reshurave që ndoshta s’ka ndodhur për 50 vjet”.

Familjarët thonë se s’u ndihmuan

Albert Ademaj, axha i vogëlushit që vdiq në shtëpinë e tij që u mbush përplot ujë, tregoi se si i gjeti me shokë nipin dhe kunatën.

Ademaj i akuzoi institucionet, duke thënë se nuk e kanë ndjerë ndihmën e tyre.

Një ekip i Policisë së Kosovës kishte shkuar atje, por Ademaj thotë se nuk u ofruan as ndihmë të mirëfilltë dhe as s’kishin sjellje të duhur.

Sipas tij, në vendin e njëjtë që Policia u kishte thënë se ka gjurmuar dhe nuk, ai tha se pikërisht aty arritën ta nxjerrin trupin e kunatës së tij, Mirsada Ademaj..

Ademaj tha se edhe trupin e pajetë e dërguan vetë në ambulantë.

Exit mobile version