Serbia i ka liruar tre policët e Kosovës dhe tani duket se presioni do të shtohet ndaj Kosovës që ende nuk është pajtuar t’i zbatojë kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri. Pas një diskutimi të gjatë me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se ato janë fort të shqetësuara dhe kërkojnë që tash të bëhet gjithçka për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë diskutuar gjatë sot në një takim me kryediplomatin europian, Josep Borrell për situatën në Kosovës.
Borrell tha në një konferencë për media se shtetet anëtare kanë “shqetësime të forta” për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës dhe këtë tha se dëshiroi ta theksonte.
“Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, tha Borrell.
Kryediplomati europian, të cilit i është dashur të ulet disa herë në tavolinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka raportuar para shteteve anëtare për takimet pa rezultat që i zhvilloi para një jave me të dyja palët në Bruksel.
Tani, pasi Serbia i liroi tre policët e Kosovës, Borrell tha se shtetet anëtare të BE-së presin të shihet përparim, duke paralajmëruar masa nëse kjo nuk ndodh.
“Shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masa nëse nuk shihet përparim”, theksoi Borrell.
Tash zgjedhje të reja
Borrell tha se kanë rënë dakord që në veri duhet të mbahen zgjedhjet e reja, me pjesëmarrjen e serbëve.
Hapi i radhës, siç tha Borrell, është të bëhet gjithçka për t’i mbajtur zgjedhjet e reja.
“Ne ramë dakord që zgjedhjet duhet të mbahen”, tha ndër tjerash Borrell.
Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit, është kërkesa e BE-së për Kurtin, të cilën e mbështet edhe SHBA-ja.
Ndonëse pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Kurti nuk pajtohet me kërkesat tjera të ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës.
Kurti ua ka paraqitur atyre kërkesat e veta, të cilat ia ka dërguar edhe kreydiplomatit europian, Josep Borrell, nga i cili mori përgjigje negative.
BE-ja ka përgatitur masa sanksionuese ndaj Kosovës për shkak të kësaj sjelljeje.
BE-ja dhe SHBA-ja e shohin përgjegjës Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para tri javësh u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.