4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Shtetasit e huaj mashtrohen që të luftojnë për Rusinë në frontin ukrainas 

Në Telangana të Indisë, një person po bën përpjekje të dëshpëruara për të kthyer vëllanë e tij nga fronti i forcave ruse në Ukrainë, pasi ai u mashtrua të punojë për Rusinë gjatë sulmit në këtë vend fqinj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, ekspertët thonë se hile të tilla përdoren vërtet nga Rusia, ndërsa shpjegojnë se përse ajo i mashtron shtetasit e huaj që të marrin pjesë në këtë luftë.

Salman Zahur Sayyed thotë se vëllanë e tij e mashtruan që të punojë në vijën e frontit për Rusinë gjatë sulmit në Ukrainë.

shkoi në Rusi pasi iu premtua se do të punojë për qeverinë, me një pagë rreth dy mijë dollarë në muaj dhe mundësinë për të marrë shtetësinë ruse. Kur mbërriti, ai nënshkroi një kontratë. Pastaj, gjërat filluan të përkeqësohen.

“Kur vëllai im dhe të tjerë kuptuan se çfarë po ndodhte, u thanë se do t’u duhet të luftojnë sa herë që i nevojiten ushtrisë, pasi tashmë i kishin firmosur dokumentet”, tregon zoti Sayyed.

Ai thotë se kontrata ishte në rusisht dhe se vëllai i tij nuk kishte se si ta kuptonte.

Megjithëse vëllai i tij është pjesë e forcave mbështetëse dhe jo pjesë e njësive luftarake, ai ka qenë në front pranë Khersonit dhe vetëm dy muaj më parë pa se si njëzetë indianë, nepalezë dhe rusë u vranë nga një sulm me dronë ukrainas.

Sipas analistëve, qindra njerëz nga vende si India, Nepali dhe Kuba janë mashtruar për t’u bërë pjesë e forcave ruse në Ukrainë. Ata thonë se evidenca tregon se Rusia po e shton këtë praktikë.

“Ndonjëherë këto metoda i ngjasojnë trafikimit të qenieve njerëzore, pasi rusët përqëndrohen tek personat që duan të largohen nga vendi i tyre. Indianët dëshirojnë të gjejnë mundësi për t’u larguar nga India dhe ata në thelb i joshën. I mashtruan”, thotë Milosz Bartosiewicz, nga Qendra për Studime Lindore.

Një tjetër eksperte i tha Zërit të Amerikës se është e zakonshme që vendet ndërluftuese të rekrutojnë shtetas të huaj, por se sipas analizës së saj historike të dy shekujve të fundit, mashtrimi i rekrutëve që të punojnë në zona lufte është përdorur shumë rrallë në të kaluarën.

“Arsyeja përse nuk bëhet kjo është sepse ka kosto të thella politike. Merr kështu ushtarë aspak të mirë, që nuk kanë asnjë dëshirë për të luftuar, pasi nuk kanë ardhur aty për të luftuar. Pra nuk ka ndonjë përfitim domethënës. Ky është një fenomen i rrallë dhe na tregon se sa beson Putini se mund të përballojë ushtria ruse në Ukrainë dhe se çfarë i nevojitet për të fituar – pra se sa i madh është ky hendek”, thotë Elizabeth M.F. Grasmeder, nga Universiteti Duke.

Zoti Sayyed thotë se vëllai i tij as nuk e di nëse po paguhet.

“Nuk kanë patur mundësi të kontrollojnë nëse kanë marrë ndonjë pagesë në bankë, pasi gjenden larg civilizimit nëpër pyje. Agjentët mund t’i kenë mashtruar duke u dhënë edhe të dhëna jo të sakta bankare”, thotë ai.

Zoti Sayyed thotë se mënyra e vetme për t’u lidhur me të vëllanë është kur ndonjë ushtar rus i lë telefonin e tij për të folur. /VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img