Site icon PrishtinaPress

Shtëpia e Bardhë sërish përmend marrëveshjen Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga presidenti Trump

Shtëpia e Bardhë sërish ka shkruar për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Washington.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Shtëpia e Bardhë shkruan se presidenti Donald Trump së fundi ka ndërmjetësuar një numër marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Presidenti Trump ka ndërmjetësuar së fundmi një numër marrëveshjesh kryesore ndërkombëtare – duke ndihmuar ndërmjetësimin e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prag të një përparimi të madh midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, shkruan Shtëpia e Bardhë.

Ndryshe, më 4 shtator Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në këtë marrëveshje thuhet se Serbia (Beogradi) dhe Kosova [Prishtina] pajtohen që të ecin përpara me normalizimin ekonomik.

Po ashtu, të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.

Më tej në këtë marrëveshje thuhet se të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.

Exit mobile version