Site icon PrishtinaPress

Shtatorja madhështore por jo historikisht korrekte e Skënderbeut që do të vendoset në Zvicër

Skulptori Gëzim Muriqi është duke i dhënë dorën e fundit shtatores së heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Shtatorja, që raportohet se do të vendoset në Zvicër, e shfaq Skënderbeun madhështor, teksa qëndron në këmbë duke e hedhur vështrimin në horizont.

Duhet thënë është një prej skulpturave më të bukura që kemi parë të heroit tonë kombëtar.

Megjithatë, shtatores duket se i janë shtuar dy apo tre elementë, të cilat nuk përputhen me atë çka historia e përshkruan Skënderbeun. Mbi njërën shpatull të tij, dallohet teksa varet para gjoksit koka e një dhelpre, gëzofi i së cilës vijon edhe në pjesën e pasme. Nuk ka ndonjë të dhënë se Skënderbeu ka mbajtur gëzof dhelpre si pjesë e veshjes së tij, në betejë apo jashtë saj.

Po ashtu, Skënderbeu mban një pelerinë që valëvitet në erë. Element që shpesh e hasim edhe te heronjtë e fantashkencës, ndonëse nuk ka të dhëna se në të vërtetë Skënderbeu e ka pasur një të tillë.

Edhe për mburojën e Skënderbeut nuk ka shumë të dhëna. Në fakt nuk është e qartë nëse Skënderbeu ka mbajtur mburojë në beteja, dhe çfarë pamje ka pasur ajo. Sot kemi në muzeun e Austrisë dy shpata dhe përkrenaren e Skënderbeut.

Në rastin konkret, heroi i shqiptarëve paraqitet në shtatore duke mbajtur një mburojë të nxjerrë nga karakteret e fantazisë, pasi një mburojë e tillë është e ngjashme, por jo identike me ndonjë prej mburojave tre-cepëshe të përdorura gjatë periudhës mesjetare.

E megjithatë, duhet thënë se kjo është një prej shtatoreve më mbresëlënëse të Skënderbeut që kemi parë gjatë viteve të fundit, duke patur parasysh edhe disa shtatore që janë vendosur dhe më pas hequr pas kontestimeve të shumta për shkak të punës së dobët.

Exit mobile version