Më 2 shtator në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec do të fillojë edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, transmeton KultPlus. Në këtë aktivitet që synon të vazhdojë të jetë i përvitshëm do të marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës.
Krahas rrushit dhe verës, Rahoveci ka nisur të krijojë një traditë të re edhe në fushën e artit të poezisë.
Fjala e bukur e thënë në vargje po brumoset në këtë qytet në kuadër të një nisme që u inicua vitin e kaluar nga poeti dhe shkrimtari rahovecian Fahredin Shehu.
Shtatori në Rahovec do të nisë me Festivalin Ndërkombëtar i Poezisë, që organizohet për herë të dytë. Sipas organizatorit të festivalit, Fahredin Shehu, ky qytet do të jetë pikë reference për shumë poetë të përzgjedhur të klasit botëror, përfaqësues më të spikatur të vendit të tyre të origjinës.
Deri më tash pjesëmarrjen në këtë festival e kanë konfirmuar rreth 20 poetë nga vende të ndryshme të botës përfshirë edhe ata nga vendi.
Lista e pjesëmarrësve përfshinë poetë nga një hapësirë gjeografike e gjerë që nga vendet e Evropës si Gjermania, Zvicra, Belgjika, Britania e Madhe e Norvegjia e deri te Turqia, Japonia e Australia e largët. Nga Kosova pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Besa Hoxha Beqiri, Sali Bashota dhe Donika Dabishevci ndërsa nga Shqipëria, Olimbi Velaj.
Festivali do të hapet pasditën e 2 shtatorit në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec më ceremoninë solemne që do të nisë në orën 16.00. Ndërsa më 3 shtator në Parkun e qytetit, do të mbahet maratona poetike, e cila fillon nga ora 20.00.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec mbështetet nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga disa sponsorë të tjerë.