Site icon PrishtinaPress

Shtatë persona të vrarë nga sulmet ruse në zonën e rebelëve në Siri

Të paktën shtatë persona kanë vdekur si pasojë e sulmeve ajrore ruse në veriperëndim të Sirisë, përfshirë katër civilë, ka thënë Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

“Katër civilë janë varë në Jisr al-Shughur dhe tre luftëtarë rebelë janë vrarë në afërsi nga sulmet ajrore ruse”, ka thënë Rami Abdel Rahman, nga organizata me bazë në Londër, që e vëzhgon luftën në Siri.


Sipas tij, të paktën 25 civilë janë plagosur në sulmet e kryera në territorin e kontrolluar nga rebelët në Provincën Idlib, dhe se numri i të vdekurve pritet të rritet.

Forcat ruse, të cilat e përkrahin regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, u janë përgjigjur sulmeve me dronë të rebelëve në javën e fundit, nga të cilat kanë vdekur katër civilë, përfshirë dy fëmijë, ka thënë Abdel Rahman.


Damasku, me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, e ka rikthyer pjesën më të madhe të territorit, të humbur në fazat e para të konfliktit të Sirisë, i cili ka shpërthyer më 2011, kur Qeveria i ka shtypur në mënyrë brutale protestat pro-demokracisë.

Zona e fundit e opozitës së armatosur zgjerohet në disa pjesë në Idlibit, Alepos, Hamas dhe Latakias.

Hayat Tahrir al-Sham, që udhëhiqet nga ish-pjesëtarë të një dege të Al-Kaidas në Siri, është grupi dominues në këtë zonë, por aty janë aktive edhe grupacione tjera të rebelëve.

Lufta në Siri i ka lënë të vdekur më shumë se gjysmë milioni njerëz dhe i ka detyruar miliona të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre

Exit mobile version