Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKUK) gjatë këtij muaji pritet të hapë konkurs për 370 pozita të cilat janë me ushtrues detyre.
Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, tregoi mbi investimet e bëra gjatë vitit 2024 në SHSKUK dhe efektin e tyre në rritjen e cilësisë së shërbimeve. Azizi derisa ka folur për hapjen e konkursit për 370 pozita, ai garantoi proces transparent.
“Janë diku mbi 370 persona brenda SHSKUK-së me rolin e ushtruesit të detyrës dhe kjo situatë ka vazhduar në disa raste edhe me dhjetëra vite që dikush është ushtrues detyre. Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit ka krijuar paqartësi. Më në fund e kemi marrë një interpretim prej DMSP-së dhe menjëherë kemi kërkuar prej secilës njësi kërkuese që të hapë konkurs për pozitat e ushtruesve të detyrave… Gjatë janarit do të hapet konkurs për të gjitha pozitat e ushtruesve të detyrave në gjithë SHSKUK“, tha ai.
Drejtori i SHSKUK thotë se në vitin 2024 kanë siguruar 74 për qind të barnave dhe materialeve nga lista esenciale, duke krijuar stabilitet të furnizimit.
“Jam i bindur në bazë të raporteve se 2024 ka qenë viti me furnizimin më të mirë sa i takon të gjithë SHSKUK-së me barna të listës esenciale, materiale tjera shëndetësore të nevojshme për punën e pandërprerë të SHSKUK-së. E vërteta është se kur kam ardhur këtu kam gjetur vetëm 25% të kontratave të lidhura të komplet listës esenciale para një viti. Derisa tani kemi arritur 74% të plotësimit të listës esenciale ku kemi kontrata aktive, 74% të produkteve”, tha ai.
Gjatë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë kryer disa rinovime dhe ka nisur përdorimi i aparaturave të reja. Për këto intervenime, drejtori Azizi thotë se janë duke bërë transformim radikal në shëndetësi.
“Të gjitha sallat që janë rinovuar dhe që do të vazhdojnë të rinovohen tash e tutje do të kenë filtra për parandalimin e kontaminimit të kryqëzuar që do me thënë për ta zvogëluar mundësinë e infeksioneve brenda spitalore. Qasja intervenim që kemi ne në secilin repart apo klinikë, ka qenë që ta modernizojmë absolutisht atë njësi përbërëse të SHSKUK-së në mënyrë që së paku në 5-10 vjetët e ardhshëm të mos ketë nevojë për intervenim. Kjo nënkupton vendosjen e ventilimit qendror i cili ka munguar në të gjitha klinikat dhe repartet, vendosjen e standardeve të hapësirave… Jemi duke e bërë një transformim radikal ku edhe mendësia e vetë objekteve ka ndryshuar,” tha ai.
Buxheti i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për 2024 gëzonte 180 milionë euro, prej të cilave deri më tash janë shpenzuar 90 për qind e mjeteve.
“Ka qenë më pak se 180 milionë në përgjithësi buxheti për komplet SHSKUK-në dhe të gjitha njësitë përbërëse të saj. Pjesën më të madhe e marrin pagat. Deri tani që flasim në përgjithësi në SHSKUK si administratë qendrore, por edhe në QKUK janë shpenzuar diku rreth 90% e buxhetit në të dy njësitë, derisa pak çalojmë me investime kapitale”, thotë ai.
Azizi nga drejtorët e klinikave dhe reparteve ka kërkuar ndarje më të barabartë të detyrave për profesionistët shëndetësorë.
“Operacionet nuk janë e vetmja njësi matëse për punën e një mjeku, një mjek, një specialist kryen edhe punë të tjera përveç operacioneve, kryen edhe vizita specialiste kryen edhe konsultime dhe shërbime të tjera brenda SHSKUK-së, të cilat janë të një rëndësie të rëndësishme sa edhe operacionet…Kjo është çështje menaxheriale e drejtorit të Klinikës. Mendoj se është dashur një punë shumë më e madhe e drejtorëve të Klinikës në një shpërndarje të barabartë të detyrave, por jo detyrimisht secili mjek duhet të ketë numrin e njëjtë të operacioneve për arsye se kemi të bëjmë me një fushë ku edhe ka specialistë e subspecialistë”, tha Azizi.
Kujtojmë, në vitin që sapo e lamë pas, Ministria e Shëndetësisë ka rinovuar disa reparte në Gjinekologji dhe Obstetrikë, Emergjencë, Onkologji, Urologji, Radiologji, derisa është përuruar edhe aneksi i Ortopedisë./kp/