Gjesti i shqiptarit nga Kosova, Alban Ferati për ofrimin e pijeve falas për të pastrehët në qytetin e Gelsenkirchen në Gjermani, ka bërë që për të, të shkruajnë edhe mediet gjermane.
Shqiptari Alban Ferati, i cili jeton në Gelsenkirchen të Gjermanisë, ka njoftuar se do t’i dhurojë pije falas të gjithë të pastrehëve të qytetit, nëse temperaturat në Gelsekirchen bien nën 0 gradë celsius gjatë javës së ardhshme.
Ferati, i cili është pronar i një kioske, ka njoftuar të gjithë qytetarët e Gelsekirchen se nëse shohin ndonjë të pastrehë në qytet, i cili ka nevojë për trajtim, ta afrojnë tek kioska e tij për t’i shërbyer pije të ngrohta.
“Nëse shihni njerëz në rrugë, të cilët nuk janë në gjendje të mirë, sillni tek kioska ime. Pije falas për të gjithë që kanë nevojë”, ka shkruar Ferati në profilin e tij në Facebook, në gjuhën gjermane, njofton Insajderi.
Njoftimi i tij në Facebook ka marrë më shumë se 1000 shpërndarje dhe është komentuar pozitivisht nga qytetarët e Gelsenkirchen.
Për këtë gjest të Feratit kanë shkruar edhe mediet gjermane. Portali Derwesten.de e ka quajtur “zemërgjerë” shqiptarin që ka ofruar pije falas për të pastrehët në Gjermani.