“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 24 qershorit 1970, në faqen 11, një shkrim në lidhje me veprimin dhe kërkesën e veçantë të një shqiptari që jetonte në Amerikë dhe që urrente presidentin amerikan Richard Nixon. Shkrimi është si më poshtë:
“Ekuipazhi i rrëmbyer nga një pirat i ajrit shqiptar që donte të hakmerrej ndaj Richard Nixonit
Romë, e martë (AFP, AP, UPI) – ‘Asnjë nga pasagjerët nuk e vuri re që avioni ishte rrëmbyer, gjithçka kaloi pa incidente’, tha në ndalesën e Romës, zonjusha Veronika Ballman nga Munihu, një nga stjuardesat e Boeingut 707 të Panam-it Bejrut-Nju Jork, i cili dje u mor peng në drejtim të Kajros nga një pirat i ajrit.
Bëhet fjalë për Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferrin), 38 vjeç, shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara, ku ushtron profesionin e tregtarit të materialeve të ndërtimit, i cili shpjegoi gjestin e tij për urrejtjen që kishte ndaj Amerikës.
Ndërsa avioni me 134 pasagjerë dhe prej dhjetë anëtarësh të ekuipazhit fluturonte mbi Nikozi (Qipro), Xyaert (Xhaferri), i cili mbante një revolver të fshehur pas një çante udhëtimi, e detyroi zonjushën Ballman të hapte kabinën e pilotazhit. Aty ai urdhëroi kapitenin John Burn të fluturonte për në Kajro dhe shtoi: ‘Thuajini Nixonit që të largohet nga Vietnami dhe Kamboxhia dhe të mos i shesë Izraelit avionët Phantom’.
Pas uljes në Kajro, ndërsa policia egjiptiane i afrohej aeroplanit, pirati qëlloi një herë në njërën prej dritareve të kabinës, dhe më pas u dorëzua pa rezistencë.
Hadji Hassan Xyaert (Haxhi Hasan Xhaferri) nuk ka kërkuar azil politik në Kajro. Midis pasagjerëve të Boeing-ut ishin njëmbëdhjetë punonjës të Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një ministër këshilltar, z. Thatcher. Ky i fundit nuk hasi asnjë vështirësi për kërkuar fluturimin e aeroplanit, i cili vazhdoi rrugën për në Romë, Paris dhe Nju-Jork’”. /Darsiani/