Site icon PrishtinaPress

Shqiptari Përparim Avdili gati që ta shkruajë historinë në Zvicër, me 22 tetor garon për ulëse në Parlamentin Nacional

Përparim Avdili, me prejardhje shqiptare, po synon që në zgjedhjet e sivjetme për Parlamentin e Zvicrës të zë ulësen e deputetit në nivelin nacional, si kandidat i Partisë Liberale (FDP). Avdili prej vitesh është përfaqësues në parlamentin e Cyrihut, dhe tani është gati që me 22 tetor ta shkruajë historinë si shqiptari i parë i zgjedhur me votë në Parlamentin nacional të Zvicrës.

Për Përparim Avdilin politika është një aktivitet me të cilin merret prej vitesh dhe si e tillë ajo e shënjon gjithë jetën e tij. Ai konsideron se ka çështje, të cilat mund të trajtohen më shumë në nivel nacional se sa në atë lokal ose kantonal, dhe kjo është arsyeja përse ai ka vendosur të kandidojë për këtë nivel në zgjedhjet e 22 tetorit 2023 në Zvicër.

Përparim Avdili, përveç punës së tij si asamblist dhe kryetar i FDP-së për Cyrih, njihet si bartës i shumë aktiviteteve shoqërore që lidhen, veç tjerash edhe me komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ai bën pjesë edhe në kreun e klubit futbollistik të Cyrihut “FC Kosova”, është bashkiniciator i subjektit “Sëissalbs” që bën bashkë sipërmarrësit shqiptarë të Zvicrës etj.

Në një prezantim fundit, duke folur për rolin e politikanit të ri si model, shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë me prejardhje të huaj, respektivisht nga ata shqiptarë, Avdili ka thënë se ai ka zhvilluar shumë aktivitete drejt arritjes së këtij synimi. Por, ka shtuar ai, pjesëtarët e komunitetit tonë nuk mjafton vetëm të kënaqen me të drejtat që u ofron pasja e pasaportës zvicerane. Ata duhet të jenë të gatshëm të bartin edhe detyrime, si shtetas të këtij vendi.

Exit mobile version