Komuniteti shqiptar në Teksas pritet të zhvillojë sot një protestë në Austin, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit të organizatorëve, tubimi do të mbahet në orën 13:00, pranë ndërtesës së Kapitolit të Teksasit në Austin.
Organizatorët e kanë paraqitur protestën si një aktivitet për drejtësi dhe gjykim të drejtë, ndërsa kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e cilësojnë si ndjekje politike ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Protesta zhvillohet pas aktgjykimit të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas aktgjykimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Dënimet e të katërve arrijnë gjithsej në 81 vjet burgim.
Tubimi në Austin pritet të jetë një tjetër aktivitet i organizuar nga komunitetet shqiptare në diasporë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
