6.5 C
Pristina
Saturday, November 2, 2024

Buy now

spot_img

Shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga veriu s’lejohen të votojnë, me serbët standard tjetër

Serbëve u lejohet të votojnë në veri të Kosovës, ndërsa kanë tri apo katër decenie që jetojnë në Serbi. Madje, atyre u lejohet edhe votimi i dyfishtë. Por, nuk u lejohet votuesve të përkatësisë shqiptare të votojnë në vendet ku i kanë vendbanimet e veta në veri, prej ku janë shpërngulur dhunshëm prej mbi 22 vitesh.

Derisa në veri të Kosovës situata vazhdon të tensionohet dhe barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, që u ngritën më 10 dhjetor nga grupet kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Panntiq nga autoritetet e rendit në Kosovë janë ende aty, rreth 12 mijë shqiptarë të dëbuar tash e mbi 22 vite me dhunë nga këto grupe kriminale prej pronave dhe shtëpive të tyre në veri të Mitrovicës, po vazhdojnë të mbesin nën hijen e trazirave të krijuara nga serbët.

Madje edhe shtyrja e zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani nga 18 dhjetori i këtij viti për t’u mbajtur në prill të 2023-ës, në katër komunat veriore, u mor si vendim nën presionin e dhunës dhe tensionimit të situatës nga bandat serbe, nën ndikimin e Qeverisë së Serbisë për të penguar procesin zgjedhor në veri, që organizohet nga institucionet e Kosovës.

Mirëpo, shtyrja e zgjedhjeve në veri të vendit, sipas analistëve, e ka edhe një të mirë: përfshirjen e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga veriu në zgjedhjet lokale për katër komunat veriore.

Votimi në zgjedhjet e prillit, banorëve shqiptarë të lindur dhe regjistruar në veri e që dhunshëm në pronat e tyre janë vendosur serbët, sipas njohësve të së drejtës ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe asaj kushtetuese, duhet t’u mundësohet.

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Halit Barani, i cili udhëheq degën e KMDLNJ-së në Mitrovicë, thotë për Demokracia.com se shqiptarët e shpërngulur me dhunë patjetër që duhet të votojnë të gjithë në zgjedhjet lokale në veri, pra ata që janë të regjistruar në atë pjesë të qytetit, përkatësisht në komunën matanë Ibrit.

“Nuk ka mundësi t’iu mohohet e drejta e votimit, nëse janë në regjistra të KQZ-së. Të gjithë ata që kanë lindur në pjesën e okupuar të Mitrovicës dhe janë të regjistruar në atë komunë e kanë të drejtën e barabartë për të votuar si të gjithë banorët tjerë, pavarësisht etnisë. Nëse nuk u lejohet e drejta për votim në zgjedhje gjithë atyre banorëve që kanë lindur apo kanë jetuar dhe janë të regjistruar në atë komunë, patjetër se është shkelje drastike shumë e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut”, thotë Barani për Demokracia.com.

Ai theksoi se të gjithë shqiptarët e lindur në veri e kanë të drejtën të kërkojnë sqarime nga KQZ-ja pse u mohohet e drejta e votës.

“Gjithë atyre banorëve që u mohohet e drejta e votës, ata kanë të drejtën e ankesave dhe kërkesave për sqarime nga KQZ-ja, pse ju mohohet e drejta kur dihet se një numër i madh i popullatës joshqiptare, përkatësisht serbe nuk jetojnë fare në Kosovë, por nëpër disa qytete të Serbisë dhe kur vijnë për farë zgjedhjesh, të gjithë kthehen dhe votojnë në Kosovë gjithandej, nëpër komuna ku janë të regjistruar”, shtoi ai.

Barani bënë të ditur se janë të shpërngulur mbi 11.364 anëtarë shqiptarë, por sipas tij, nga ky numër që u dëbuan me dhunë nga pjesa e okupuar e Mitrovicës nuk janë të gjithë që kanë mundësi të votojnë, sepse disa nga ta kanë vdekur, pasi kanë qenë dhe në moshë kur janë dëbuar nga pronat e tyre.

Pamundësimi i ushtrimit të së drejtës së votës, shkelje flagrante e së drejtës kushtetuese dhe ligjore

Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë për Demokracia.com se pasi që për zgjedhjet lokale çdo komunë është zonë e veçantë zgjedhore, këta banorë nëse zyrtarisht nuk janë shpërngulur në jug, pa dyshim që kanë të drejtë vote.

“Mirëpo, nëse Komisioni Komunal zgjedhor përmes qendrës komunale të regjistrit civil atje kanë bërë ndonjë shlyerje nga evidenca ose çregjistrim mund të jetë problem votimi i tyre. Meqë situata është paksa e tendosur, KQZ dhe KKZ duhet të hapin disa vendvotime në një apo më shumë qendra votuese në jug, ku qytetaret tanë do të ftoheshin të votojnë dhe kthehen në shtëpitë e tyre”, thotë Baraliu, duke shtuar se është Lista Serbe dhe Beogradi që po i pengon të gjithë që të mbajnë zgjedhje për katër komunat veriore.

Ai theksoi se pamundësimi i ushtrimit të së drejtës së votës është shkelje flagrante e së drejtës kushtetuese dhe ligjore.

“Përbën shkelje elementare të një nga të drejtat bazike kushtetuese, e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur. Është obligim i KQZ -së, KKZ-së, Policisë, institucioneve të tjera, mediave, shoqërisë civile, të gjithë shoqërisë që të sigurojë atmosferë dhe ambient demokratik zgjedhor atje dhe kudo në Kosovë”, ka thënë Baraliu, ish-kryetari i KQZ-së për Demokracia.com.

Baza e jetës për vendbanim, mbi këtë lejohet votimi

Njohësi i çështjeve juridike, profesori Muhamet Kelmendi shpjegon bazën e votimit në Kosovë që është vendbanimi dhe shtetësia, duke cilësuar votën si të drejtë elementare për çdo votues. Pa këtë, ai thotë se nuk kuptohet demokracia dhe sistemi plural dhe në këtë drejtim, çdo herë, janë dy a tri nivele të votimit.

Në Kosovë, sipas ligjit, Kelmendi bënë të ditur se ka dy shkallshmëri të shprehjes së votës: niveli komunal dhe niveli qendror. Për nivelin qendror vlen parimi i shtetësisë në bazë të votimit. Ndërsa, për votimin lokal, merret vendbanimi në bazë të së drejtës për votim.

“Kështu është ana ligjore. Mirëpo, në Kosovë, nuk është kështu dhe kjo vetëm për shqiptarët. U lejohet votueseve që tash tri apo katër decenie jetojnë në Serbi të votojnë. Madje, kemi edhe votim të dyfishtë. Ndërsa, nuk u lejohet votuesve të përkatësisë shqiptare të votojnë në vendet ku i kanë vendbanimet e veta”, thotë Kelmendi për Demokracia.com. Mbi këtë bazë, ai theksoi se çdo qytetari që me dhunë është dëbuar nga vendbanimi kërkohet t’i lejohet votimi në vendin e tillë.

“Nuk duhet marrë për bazë vendqëndrimi në bazë të votimit. Kështu veprohet në vendet e BE-së. Qytetarët shqiptarë që kanë nënshtetësi të Kosovës, ndërsa vendqëndrimin e kanë në ndonjë shtet të Evropës, nuk votojnë në vendin e vendqëndrimit, por në Kosovë, në vendin nga vijnë e që janë shtetas. Ky rregull duhet të vlejë edhe brenda vendit në Kosovë. Dhuna e aplikuar për ndjekje nuk duhet të akceptohet. Këtë e vërteton edhe pasuria e paluajtshme e të ndjekurve. Banesat, tokën apo shtëpitë i kanë në veri, në Mitrovicën e Veriut apo në ndonjë komunë tjetër. Kjo provon bazën e jetës për vendbanim. Mbi këtë lejohet votimi”, ka thënë Kelmendi për Demokracia.com.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të veriut të planifikuara të mbaheshin më 18 dhjetor janë shtyrë për në muajin prill të vitit 2023, për shkak të nivelit të rrezikshmërisë në veri të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një adresim për media pas takimit me përfaqësues të partive të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, tha se ka marrë një raport të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për vlerësim të nivelit të rrezikut.

Mbi 12 mijë shqiptarë të veriut të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar në shkurtin e vitit 2000 nga banesat dhe shtëpitë e tyre në pjesën veriore vazhdojnë të jetojnë në jug të Mitrovicës, si dhe në qendrat tjera të Kosovës. Ata janë të detyruar të paguajnë qira, ndonëse jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda. Disa prej këtyre familjeve jetojnë në ndërtesat e “Trepçës” në Stantërg, të cilat kanë filluar të shemben, por ato janë streha e vetme për shumë familje të dëbuara nga veriu.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img