Site icon PrishtinaPress

Shqiptarët do të jetojnë edhe pasi Edi Rama të largohet nga pushteti

Rrotacioni në vitin 2013 ishte i domosdoshëm për shumë arsye, duke nisur që nga konsumimi i qeverisë së djathtë e deri tek aferat e ndryshme korruptive.

Shumëkush ishte i bindur se me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, gjërat do të ndryshonin, qeveria do të merrte një tjetër frymë, sidomos duke parë edhe koalicionin e natyrshëm brenda së majtës mes PS-së dhe LSI-së. E majta paraqiti një program shumë ambicioz, ku në qendër të reformave vuri qytetarin dhe një ndër premtimet e forta që bëri ishte shëndetësia falas.

Që kur u firmos marrëveshja e koalicionit më 1 prill mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, ishin të paktë ata që dyshonin se nuk do t’i fitonin zgjedhjet. Sapo fitoi zgjedhjet, Rama e nisi vrullshëm qeverisjen, dhe përkundër çfarë kishte premtuar filloi t’iu tunde prangat qytetarëve. E nisi me reformën në sistemin e energjisë, ku me një shembull të pashoq u turr për të mbledhur borxhet e akumuluar në vite. Filloi të predikonte sindromën e vitit zero, ku çdo gjë nis me qeverinë e tij dhe se ajo po bën ndryshime rrënjësore. Duke mos marrë parasysh fare borxhet në vite, ku edhe pse kishte familje që kishin detyrime deri në 10 milionë lekë, nisi valën e arrestimeve.

Të detyruar nga presion i burgut, ata u vunë në rresht për të lidhur marrëveshje më OSHEE për t’i paguar më këste. Paralelisht ndërmori disa aksione ndaj biznesit të vogël, ku edhe pse ndoshta jo me të gjitha dokumentet në rregull, mbanin familjen me bukë. Dhe kush e di sa pagesa dhe detyrime të tjera, që me thënë të drejtën nuk paguheshin prej vitesh, filluan të mblidheshin. Të gjitha këto ulen buxhetin e familjeve, pasi rrogat u rritën asgjë presje diçka me ardhjen e Ramës në pushtet, duke bërë që ata të shpenzonin më pak për mirëqenien e tyre.

Më pas, qeveria nisi të bëhej arrogante. Ministrat, në çdo dalje publike, nëse nuk përdornin së paku një herë të vetme fjalën ‘burg’ ndaj qytetarit, në kuptimin e parë të fjalës dhe të ashpër, prezenca në televizione quhej e dështuar.

Mandati i parë i Ramës mbahet mend për burgun dhe për drogën. Sidomos gjatë vitit 2016 dhe fillimin e 2017, ku kanabizimi nuk mungonte asnjë ditë në çdo edicion lajmesh. Kryeministri, i këshilluar në mënyrë perfekte nga këshilltarët, fushatën zgjedhore të vitit 2017 nuk e ndërtoi mbi çfarë kishte bërë në katër vite, por çfarë nuk bëri se kishte LSI me vete. Ide brilante. Fushata e Edi Ramës e 2017 ishte një nga më të mirat që ka bërë ai, më e vështira për të, se arrit që pa substancë të krijonte frymë të rreme, sikur ai kishte qenë në opozitë e PD dhe LSI në pushtet.

Për të gjitha këto, e duke shtuar në mënyrë të veçantë paratë e drogës dhe një PD që ishte futur ne zgjedhje me dhunë për të humbur, Edi Rama arriti të fitonte i vetëm timonin e qeverisë.

Ama, edhe ky mandat duket se ka nisur me të njëjtën qasje siç qeverisi mandatin e shkuar, edhe pse tani nuk futesh në burg për dritat, por për ujin. Sepse qeveria e Ramës ka marrë përsipër për t’i bërë të gjitha, duke ndërtuar kështu një kulturë tipike komuniste se çdo gjë fillon kur vijnë ata në pushtet dhe kur ikin, përfundon çdo gjë.

Edhe sikur reformat në fjalë, të gjitha nismat, të kenë si qëllim përmirësimin e jetesës së qytetarëve, vetëm ideja se duhet të mbyllen të gjitha sa janë në pushtet ata dhe se vetëm ata munden t’i bëjnë ato, vetvetiu të shpie në prirje të zbehta diktature. Patjetër do ishte naive të thoja se Rama është Enver Hoxha, por mënyrat sesi vjen tek njerëzit, që çdo gjë ka nisur me ardhjen e tij në pushtet, dhe mbaron kur ikën ai, herë pas here të duket i ngjashëm me diktatorët.

Shqiptarët kanë qenë këtu shekuj më parë, dhe mesiguri që do të jenë edhe shekuj e shekuj pasi të largohet Rama nga pushteti. Çdo gjë që ai bën, e mendon se është e drejtë për qytetarët, madje edhe pse ata në masë mund të mendojnë të kundërtën e tij. Një arrogancë e vrazhdë, që nuk përçon asgjë me shumë sesa negativitet, e shume herë kjo gjë të shuan shpresën se ky vend mund të bëhet.

Ku ka fyerje më të madhe që kryeministri të dalë përditë dhe të thotë që shqiptarët nuk punojnë, se refuzojnë ofertat që ju bëhen atyre nga zyrat e punësimit, siç po bën ditët e fundit. Se ata janë hequr nga ndihma ekonomike për këto arsye dhe i kërcënon se nuk ka punë për parazitët. Si ka mundësi që nuk flet asnjëherë për punët që ofrohen, për kushtet skandaloze ku duhet të punojnë ata, të një shfrytëzimi çnjerëzorë nga fabrikat e Fasonerisë apo Call Center. Shqipëria e vogël është, që në fasoneri apo fabrika të ngjashme punon 8 orë si kafshë për 20 mijë lekë dihet, dhe prandaj ka një hezitim gjithnjë e më të shtuar për të punuar si skllav.

Kjo shpjegon edhe një rritje të madhe të atyre që duan të braktisin Shqipërinë, për të punuar në vende ku puna e tyre vlerësohet. Se shqiptarët nuk ndryshojnë nga parazitë në punëtorë sa kalojnë kufirin, janë po ato, që për Ramën janë parazitë, ndërsa për vende të tjera punëtorë.

Kur na ndajnë vetëm pak muaj nga vendimi që do të merret se nëse Shqipërisë do t’i hapen negociatat me BE-në, i vetmi që duket se e ka marrë seriozisht angazhimin e tij është ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pavarësisht shumë herë i atakuar nga opozita, Xhafaj po jep shenja se në Shqipëri, policia mundet të luftojë krimin, jo vetëm të bashkëpunojë me të. Një nga eksponentët më te vjetër në PS, por me zëvendësministra dhe këshilltarë të rinj dhe të studiuar jashtë, ai ka rifituar bashkëpunimin me partnerët, ku në sajë të këtij bashkëpunimi ka pasur disa aksione të suksesshme të policisë kohët e fundit. Ndërsa, për ministrat e tjerë, asgjë më shumë sesa dështime me sukses.

/Gurjan Doçi – GazetaExpress/

 

Exit mobile version