Në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës është publikuar agjenda e konferencës së dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që do të mbahet në Luksemburg më 15 tetor.
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Grupin 1: Bazat, duke përfshirë fushat e mëposhtme dhe kapitujt e negociatave:
Funksionimi i institucioneve demokratike
Reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE u dorëzua më 24 prill 2009. Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.