Të shumtë janë talentët e futbollit kosovar, të cilët janë në ngrije e sipër të karrierës profesionale si futbollist në klube të njohura evropiane. I tillë është edhe supertalenti, Shpëtim Hasani, i cili me sukses është duke luajtur te gjiganti gjerman Schalke 04 në grupmoshat U-17.
Hasani që pesë vite është pjesë e Schalke 04 dhe tani është futbollisti me më shumë përvojë në ekip, ku synimet e tij janë që shpejtë të arrijë ngritje edhe më të madhe në karrierë në mënyrë që të depërtojë në ekipin e parë të “mbretërve të kaltër” nga “Arena AufSchalke”.
I kontakuar nga “Sport-24h.net”, Shpëtim Hasani zbuloi se në drejtim të tij ka pasur oferta nga disa skuadra të njohura elitare gjermane, por ai vendosi të vazhdojë karrierën te Schalke.
Hasani është reprezentues i Kosovës, por cilësitë e tij prej një mbrojtësi të krahut të djathtë dhe një mesfushori të djathtë i kanë vërejtur edhe menaxherët e Kombëtarës së Shqipërisë, madje “Sport-24h.net” ka zbuluar se ata i kanë dërguar edhe ftesë për të luajtur për “Kuqezinjët”, por që Hasani e ka refuzuar, pasi dëshira e madhe e tij është që të ketë ngritje në karrierë dhe që shpejtë të luajë për Kosovën U-21 dhe më pas edhe për Kosovën A.
Kujtojmë që Shpëtim Hasani është familjar i një nga portierëve më të mirë në Kosovën e pasluftës, ish-anëtarit të Trepçës, Trepçës ’89 dhe tani Besës së Pejës, Enis Manxhollit.