Site icon PrishtinaPress

Shqipëri, presidenti i ri mbetet pa emër – drejt ezaurimit pa kandidatë edhe raundi i dytë

Edhe raundi i dytë i votimit në seancë plenare për Presidentin e ri të Republikës, duket se do të ezaurohet pa kandidatë.

Në përfundim të orarit të përcaktuar nga konferenca e kryetarëve, ora 16:00, asnjë emër nuk është dorëzuar nga palët.

Seanca plenare është parashikuar për t’u mbajtur pasditen e së hënës në 18:00.

Ndonëse në mes javë palët u dakorduan për t’i lënë opozitës te drejtën për të propozuar e para kandidatin, marrëveshja nuk shkoi si duhet, pasi kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, akuzoi socialistët për prishje të saj.

Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit u ezaurua më 16 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave./tch

Exit mobile version