Pas dorëheqjes së Dardan Sejdiut dje, gjatë ditës së sotme ka dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese edhe deptuetja Shqipe Pantina.
Këtë e ka konfirmuar vetë Pantina, e cila nuk ka dashur të jap më shumë detaje rreth dorëheqjes.
“Unë do të jem në këtë parti edhe më tutje derisa nuk bëhen ndonjë reformë”, tha Pantina.
“Nuk kasha dashur t’i komentoj më shumë këto, I kam bërë të ditura në letrën që ia kam nisur sekretarit”, ka shtuar ajo.
Më poshtë e gjeni të plotë letrën e saj”
I nderuar sekretar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zoteri Ismajl Kurteshi
Me anë te kësaj letre ju bëjë më dije se unë jap dorëheqje te parevokueshme nga pozita e kryetares së qendrës së LVV në Klinë dhe nga pozita e anëtares së Këshillit të Përgjithshëm të LVV. Zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, shpifjet, insinuatat e linçimet e vazhdueshme gjatë vitit të fundit e që u shpërfaqën publikisht e masovikisht në muajt e fundit më kanë bërë të besoj se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është ajo të cilës unë i jam bashkuar në vitin 2014.
Është jashtëzakonisht shqetësuese dhe krejtësisht i papranueshëm fakti se si aktivistë të LVV shkelin vendimet e kryesisë dhe ndaj tyre jo që nuk merret asnjë masë ndëshkuese por përkundrazi ata bëhen altoparlant i zhurmshëm që në emër të LVV shpifin, fyejnë, shajnë e linçojnë secilin zyrtarë apo aktiviste të LVV që guxon të mendoj ndryshe apo të flasë hapur për pakënaqësitë e tij/saj në Lëvizje duke shkuar deri në atë masë sa ata t’i quajnë agjentë të shërbimeve të ndryshme apo të atillë që nuk ja dashkan të mirën Lëvizjes.
Njerëz të cilët për më shumë se një dekadë shërbyen ne LVV brenda natës u bënë spiunë e agjent. Shpifjet dhe linçimet e tilla vazhduan edhe pas mbledhjes se përbashkët të kryesisë dhe grupit parlamentar ku u dakorduam që një gjë e tillë të marrë fund dhe çështjet të diskutohen në organet e Lëvizjes.
Kjo dhe zhvillime tjera lënë të kuptohet se nuk ka gatishmëri që në Lëvizje te diskutohen ide apo mendime që janë të ndryshme prej themeluesve apo atyre që cilësojnë vetën si pronarë të Lëvizjes, veprime këto që e ngulfatën demokracinë e brendshme dhe janë në kundërshtim me vlerat që Lëvizja ka promovuar në publik.
Unë vazhdoj të mbetem mbështetëse e vlerave të social demokracisë të cilat do i promovoj dhe mbështes brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sinqerisht,
Shqipe Pantina