Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Veternik të Prishtinës, ku Policia ka ndaluar për kontroll një person, nën dyshimet se posedonte gjësende të kundërligjshme.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një të mitur, te i cili Policia gjeti një armë zjarri, që e mbante ilegalisht.
Pas përfundimit të kontrollit policor, arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“