Që nga 1 gushti deri më sot, vendi është tronditur 8 herë nga vrasjet që ndodhën, shpesh në hapësira publike duke rrezikuar numër të madh njerëzish. Përderisa tri vrasje – në Prishtinë, Skenderaj dhe Klinë – u kryen në kafiteri ku kishte shumë persona, dy të tjera u kryen në prani të fëmijëve të viktimave – në Prizren dhe Podujevë. Mirëpo jo të gjithë të dyshuarit për këto 8 vrasje janë arrestuar, pasiqë për vrasjen në “Bon Vivant” në arrati ende është Dukagjin Nikollaj dhe një i dyshuar tjetër nuk është identifikuar, ndërsa për krimin në Skenderaj të paidentifikuar janë dy persona të dyshuar.
Në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë të dashurën e tij, shtetase të Argjentinës, Maria Clara Urdangaray. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.
“VRASJE: Fushë Kosovë 01.08.2023 – 01:59. Nga QKUK-ja është raportuar se ka ndërruar jeta viktima femër shtetase e Argjentinës si pasojë e lëndimeve të marra, që dyshohet se ka rënë nga një lartësi e objektit ku ka qenë duke qëndruar së bashku me te dyshuarin mashkull shtetas Zvicran. Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti ne procedure hetimore”, thuhej në raportin 24 orësh të Policisë.