3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

“Shpresojmë të punojmë me Kosovën për t’i hequr masat në vitin 2024”, çfarë po paralajmëron Escobar?

Bashkimi Europian vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensionimit të fundit të situatës në veri të vendit pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe. Masat ishin të përkohshme dhe u dakordua një marrëveshje në Bratislavë mes Kosovës e BE-së për të qetësuar situatën e rrjedhimisht për të hequr masat. Shtenisonimi në veri filloi, por BE s’është e kënaqur plotësisht, prandaj masat qëndrojnë ende.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi para takimit të 14 shtatorit Kosovë-Serbi në Bruksel shprehu optimizëm të fuqishëm se BE do t’i heqë masat kundër Kosovës në mënyrë që në tryezën negociuese dy palët të qëndrojnë të barabartë. Kjo përveçse nuk ndodhi, pas takimit që s’dha rezultate, BE paralajmëroi se mund edhe t’i shtrëngojë masat.

Kosova vazhdimisht ka kërkuar që t’i hiqen masat, duke i konsideruar të padrejta, por deri më tani asnjë afat nuk është përmendur nga ana e BE-së.

Një të përafërt e dha së fundi emisari amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se SHBA mund të punojë me Kosovës që t’i heqë masat ndëshkuese në vitin 2024.

“Unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t’i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Europian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu”, tha Escobar për Radion Evropa e Lirë.

Por, kur u pyet nëse ka afat për këtë, Escobar refuzoi të japë një definitiv, duke ia lënë plotësisht vullnetit të Kosovës.

“Jo, jo… Kjo është për keqardhje. Pra, dua të them, këto masa janë të pacaktuara derisa të ketë një lëvizje drejt progresit si në [Marrëveshjen e] Ohrit, ashtu edhe në një plan shtensionimi”, u përgjigj Escobar.

Nëse të dyja palët nuk ecin përpara me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të saj, a mund të ketë masa të mundshme nga SHBA-ja ndaj tyre?

Escobar nuk i emëroi si masa, por siguroi se do të ketë pasoja.

“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Europian, Bashkimi Europian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim”./Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img