Site icon PrishtinaPress

Shpëtohet pas 94 orëve një 17-vjeçar në Gaziantep, thotë se mbijetoi duke e pirë urinën e vet

Një adoleshent 17-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin turk, Gaziantep, në orët e para të së premtes, katër ditë pas tërmetit.

Para agimit, afër epiqendrës së tërmetit, punëtorët e shpëtimit e nxorën të riun Adnan Muhammed Korkut nga bodrumi ku ishte ngujuar që nga e hëna, raporton agjencia “Associated Press”.

I riu buzëqeshi para anëtarëve të familjes dhe shokëve që e brohorisnin emrin e tij, dhuronin duartrokitje dhe fshinin lot gëzimi, përderisa djaloshi po nxirrej i shtrirë në një barelë.

“Faleminderit Zotit që arrite”- tha ai, duke i përqafuar nënën dhe të tjerët që ishin përkulur për ta puthur e përqafuar, përderisa po dërgohej drejt një autoambulance. “Faleminderit të gjithëve”- u dëgjua duke thënë Adnani.

I ngujuar për 94 orë, por jo i shtypur, adoleshenti tha se është detyruar që ta pinte urinën e vet për ta shuar etjen.

“Kështu arrita që të mbijetoja”- tha ai.

“Kam një bir si ti. Të betohem, nuk kam fjetur katër ditë. Betohem se nuk kam fjetur. Po përpiqesha që të të nxirrja”- i tha atij një punëtor i kërkim-shpëtimit.

Exit mobile version