Shpërthimi që ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit tronditi veriun e Kosovës.
Si pasojë, në fshatin Varagë të Zubin Potokut u dëmtua rëndë infrastruktura kritike e vendit.
Hedhja në ajër e kanalit të Zubin Potokut, rrezikoi goxha seriozisht qytetarët që të mbesin pa ujë e rrymë.
Ngjarja e rëndë ngjalli reagime të ashpra duke u dënuar nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare, politike dhe të sigurisë, njofton Klankosova.tv
Sulmi u dënua edhe nga akterët relevantë të politikës kosovare.
Prokuroria Speciale e Kosovës po i vazhdon hetimet dhe mbledhjen e provave.
Udhëheqësja e departamentit për Komunikim Publik, Liridona Kozmaqi, deklaroi për Klankosova.tv se dy persona gjendet në mas paraburgimi për shkak të dyshimin për përfshirje në këtë sulm.
“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur gjendet në fazën e hetimeve, mbledhjen dhe analizimin e provave në Prokurorinë Speciale. Deri tani kemi dy persona, të cilët gjenden në masën e paraburgimit. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, tha ajo në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv
D.V dhe D.M, dyshohen për veprat penale Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, Kryerja e veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje.
Ata u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt. Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe një i dyshuar.
Po ashtu, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30.11.2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.
Me këtë rast, PSRK-ja kishte se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, ishin shoqëruar në Polici 10 të dyshuar.
Ndërkaq, për sulmin në Varagë të Zubin Potok janë prononcuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu, kishte deklaruar ditë më parë për Rtv 21 se hetimet në lidhje me sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike Ibër Lepenc janë duke u zhvilluar nga institucionet e Kosovës.
“Jemi në komunikimin të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne mirëpresimin mbështetjen e ofruar nga ata për hetim të plotë të sulmit të 29 nëntorit. Policia jonë ka partneritete me shtetet perëndimore demokratike dhe në hetimet që bën sigurisht se do të mund të ndihmohet edhe prej tyre, por këto janë çështje të ekspertizës teknike”, kishte deklaruar Kryeziu