Site icon PrishtinaPress

Shpërthejnë reagimet për fëmijët me foto të Osmanit dhe Konjufcës në duar, krahasohen me kohën e komunizmit

Kuvendi i Kosovës ka pritur nxënës të shkollave fillore, të cilët kanë shkuar për vizitë, në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë. Por, në rrjete sociale është kritikuar një fotografi që po qarkullon në rrjete sociale, ku disa nxënës shihen me fotot e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentarit Glauk Konjufca në duar, raporton Express

Fotoja që po qarkullon në rrjetet sociale nuk dihet se nga kush është publikuar, por ka ngjallur reagime të shumta.

Analisti Imer Mushkolaj ka shpërndarë fotografinë në Facebook, ku e ka përmendur rastin e profesorit nga Vushtrria i cili kishte publikuar në rrjetin social TikTok video duke vallëzuar e që ishte kritikuar për gjestin e tij. 

“E shajshi profën e Vushtrrisë. Ndërkohë, qe vepra e një mësuesi tjetër, në kulmin e budallakisë. Nxënës me foto të Vjosës dhe Glaukut në duar”, ka shkruar Mushkolaj.

Gazetari Shkodran Hoti e ka shpërndarë të njëjtën fotografi, derisa ka shkruar se po të keqpërdorej një fëmijë nga mediat, do të reagonin ‘i madh e i vogël’, ndërkaq në këtë rast, sipas tij, po keqpërdoret një klasë e tërë. 

“Me pasë keqpërdorë mediat edhe joqëllimshëm një fëmijë, i madh e i vogël nuk do t’i ndalte sharjet. Shikojeni se si keqpërdoret një klasë e tërë”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq gazetari Bekim Kabashi ka shkruar se nuk beson që kjo të jetë vepër e Presidencës apo e Kuvendit, por e ndonjë mësuesi.

“Pionierët e shokut Tito. Megjithatë, s’po besoj që është vepër e Presidencës apo Kuvendit, por e ndonjë mësuesi, e që duhet me na u dhimtë këta fëmijë që edukimi i tyre është në dorë të tij”, ka shkruar Kabashi.

Nuk dihet se të cilës shkollë janë nxënësit në foton që po qarkullon në rrjete sociale. 

Ndërkaq një prej shkollave të Prishtinës ka publikuar fotografi nga vizita e nxënësve në Kuvendin e Kosovës.

Exit mobile version