Lëvizja Vetëvendosje ka shpërndarë një video të vjetër nga viti 2007, kur lideri i saj Albin Kurti në një prej protestave të mbajtura, e paralajmëronte një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Kësaj videoje, VV ia ka ngjitur një video tjetër nga konferenca e djeshme, ku kryeministri flet për Asociacionin, duke thënë se nuk ka një përgjigje të re.
Në kohën kur thirrjet e shteteve aleate janë bërë më të shpeshta dhe më insistuese që Kosova ta gjejë zgjidhjen për themelimin e ASK-së, VV duket se ka dashur të jap një mesazh kundërshtimi.
“Po dojnë me maru komuna me shumicë serbe që kanë me pasë jashtëzakonisht më shumë kompetenca se komunat me shumicë shqiptare. Ato kanë me pasë të drejtë me drejtu universitete, me menaxhu spitale. E kjo nuk ndodh me komunat shqiptare. Tjetra është që kanë me pasë të drejtë me i lidhë horizontalisht ndërmjet vete dhe vertikalisht me Beogradin”, thoshte Kurti në vitin 2007, video që e ka riaktualizuar sot partia të cilin ai e udhëheq.
Kurti, Asociacionin në atë kohë e quante “kancer”.
“Dojnë me maru një kancer brenda që ka me kontrollu Serbia dhe krejt koha, nervat e energjia ka me shku t’u kqyrë me asimilu qat kancer dhe s’kena me mujtë. Edhe me u bo shtet i pavarur, qeky kancer s’ka me të lënë rehat”, thoshte ai.
Në fund të kësaj videoje, VV ia ka bashkangjitur një copëz nga konferenca e fundit e Kurtit si kryeministër, ku gazetarëve u thotë se përgjigjen për Asociacionin e ka të njëjtë për 9 vite.
“Pse po besoni që është pyetje e re kjo?”, ka pyetur Kurti dje në një konferencë.