Se Vetëvendosje është ndarë copë-copë dhe nuk e ka përkrahjen e anëtarëve si më parë, është vërejtur edhe këtë të diele. Disa nga fytyrat kryesore në këtë parti janë larguar nga funksionet brenda VV-së, dhe pritet që shpejt të themelojnë një parti të re. Por, personi kah i cili është kthyer e tërë vëmendja, nga cili krah do të shkojë, është kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.
Edhe në Komunën e Prishtinës, ka filluar të ndahet shapi nga sheqeri. Rasti i parë është ai i Adoni Tahirit, i cili dha dorëheqje nga të gjitha funksionet në Vetëvendosje. Rasti i dytë, gjatë votimit të Kryesuesit të Kuvendit komunal, Agim Kuletës, tre nga asambleistët e VV-së abstenuan të votojnë pro këtij propozimi.
A po e frikësojnë edhe më shumë Shpend Ahemtin këto lëvizje brenda kuvendit komunal që ta shpallë publikisht dorëheqjen e tij nga Vetëvendosje?
Pozicionimin e Shpend Ahmetit analistët e shohin si të menduar mirë, dhe se sipas tyre Ahmeti nuk do të bëjë ndonjë hap që do t’ia kishte rrezikuar karrierën politike.
Albert Krasniqi tha për Gazetën Express se nëse këto zhvillime do të ndodhnin para zgjedhjeve lokale, Shpend Ahmeti nuk do të e kishte përkrahjen që e mori dhe ndoshta nuk do të kishte mundësi të bëhej kryetar edhe për një mandat tjetër.
“Nëse kjo ngjarje do të ndodhte para zgjedhjeve, Shpend Ahmeti nuk do të e gëzonte këtë mandat që e ka. Kështu që ai nuk po ngutet të marrë vendime lidhur me pozicionimin e tij karshi Vetëvendosjes”, ka thënë për Express, Albert Krasniqi.
Krasniqi mes tjerash thotë se nëse Ahmeti kishte me dhënë dorëheqje nga Vetëvendosje duart do t’i kishte më të lira dhe se dorëheqja e tij nuk e rrezikon shumë punën e tij si kryetar.
“Shpend Ahmeti ka arritë të formoj koalicione në Komunën e Prishtinës dhe ka përkrahje nga asambleistë të VV-së, kështu që Ahmeti është i relaksuar ndaj kësaj teme. Gjithashtu nëse Ahmeti kishte me dhënë dorëheqje nga VV-ja, ai do t’i kishte duart më të lira për vendime dhe nuk do të kishte shumë punësime të aktivistëve mbi kontratë mbi vepër”, ka thënë tutje Krasniqi.
Sipas tij, Ahmeti nuk kishte me humbë shumë nga dorëheqja e tij nga Vetëvendosje sikurse do të humbin të tjerët.
Mirëpo, sipas disa burimeve të Express, Shpend Ahmeti është duke u frikësuar të japë dorëheqje pasi që shumica e asambleistëve janë nga krahu i Albin Kurtit, duke përjashtuar 5-6 persona që përkrahin Ahmetin.
Për mospozicionimin e Ahmetit ndaj një krahu, po e sheh si të qëllimshëm dhe për t’u mbrojtur, analisti tjetër Krenar Shala.
Shala thotë se Shpend Ahmeti po e ruan mirë vendin, duke punuar në heshtje dhe duke e kursyer veten ndaj ndonjë gabimi që mund të marrë në qafë karrierën e tij politike.
“Dështimet dhe mangësitë e tij në qeverisjen e kaluar nuk i japin shumë hapësirë që Shpend Ahmeti ta bëjë një hap drejt pozicinoimit të tij publik nda njërit krah. Në zgjedhje është parë se nuk e fitoi Prishtinën pa balotazh dhe për shkak se ai dëshiron të ngrihet edhe më lartë politikisht e ruan mirë pozitën e tij”, thotë për Express, Krenar Shala.
Analisti politik, Krenar Shala, ma tej tha për Gazetën Express se Kryetari i Prishtinës edhe pse nuk pajtohet me bindjet e Vetëvendosjes ai prapë nuk do të marrë ndonjë hap drejt një pozicionimi, pasi që ai ka ambicie të tjera politike dhe do të dështonte si Kryetar i Kryeqytetit.
“Përgjigje nga Ahmeti për këtë drejtim kot e presim ani pse ka shumë mospajtime me zhvillimet që po ndodhin brenda Vetëvendosjes. Mirëpo dorëheqje nuk rrezikon me dhënë, pasi që kësaj here duhet të dëshmoj se din të qeverisë me kryeqytet”, ka thënë tutje Shala.
Shpend Ahmeti të dielën doli për të votuar për kryetar të Vetëvendosjes, por prezenca e tij mund të kishte qenë veç sipërfaqësore, pasi që në fletëvotim kanë qenë edhe kategoritë “Kundër” dhe “Abstenoj”.
Deri më tani, ajo çfarë dihet është se Vetëvendosje është ndarë në dy grupe. I pari, ndjekësve të Albin Kurtit, dhe tjetri, të pakënaqurit me frymën e Kurtit, që udhëhiqet nga Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Dardan Sejdiu e disa të tjerë që dikur mbanin pozita të larta në parti, e që tashmë po përflitet se do të krijojnë një parti të re “Partia Social Demokrate”.