Site icon PrishtinaPress

Shpend Ahmeti “ndihmon” në pasurimin e djemve të kryeministrit Mustafa (Dokument)

Pasuria e djemve të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa po rritet. Para pak muajsh ata kanë marrë një leje të ndërtimit në Komunën e Prishtinës e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Kompania “Makcar” L.L.C. e cila është në pronësi të Arben e Besnik Mustafa, ka marrë leje të ndërtimit për ndërtimin e një depoje në Zonën ekonomike në Prishtinë. Pasi që objekti nuk do të jetë i ndërtuar me material të fortë, leja është e karakterit të përkohshëm, shkruan lajmi.net.

Ndërtimi  po bëhet mbi tokën e cila është në emër të kryeministrit, Isa Mustafa dhe Mustafë Mustafa.

“I lejohet  investitorit “Makcar” L.L.C. me seli në Prishtinë, (qiramarrës sipas kontratës për qira të vërtetuar te noteri Burim Z. Xhemajli me LRP.Nr. 2484/2016 me dt. 26.08.2016) me përfaqësues Besnik Mustafa nga Prishtina, sipas kërkesës me nr. 05-351 -251 898 dt. 10.10.2016, për lejimin e ndërtimit të objektit të përkohshëm afarist (depo afariste), me etazhitet P+O, në kuadër të parcelës kadastrale nr. 1388-1, e evidentuar në certifikatën e njësisë P-71914059-01388-1, ZK Prishtinë, dhe në pronësi të Isa dhe Mustafë Mustafa nga Prishtina”, thuhet në arsyetimin e lejes së ndërtimit të lëshuar nga Komuna e Prishtinës me datë  17.11.2016.

Projektin e ndërtimit e ka bërë kompania “Aspen Architecture” sh.p.k. Sipërfaqja totale ndërtimore në m², 2012.70m².  Pagesa totale e lejes së lëshuar  ka qenë 24,194.15 euro. 10,707.56 euro janë paguar për pagesa e tarifës për rritjen e densitetit 13.30€ për m²  dhe 13,485.09 euro për pagesa e taksës administrative 6.70€ për m².

Hartimin e projektit për objektin investiv  për fazat e projektimit të arkitekturës, statikës, instalimeve elektrike dhe instalimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit i ka bërë kompania projektuese “Aspen Architecture” sh.p .k. nga Prishtina, Adnan Sekiraqa. /Lajmi.net/

Exit mobile version