Kompania “Makcar” L.L.C. e cila është në pronësi të Arben e Besnik Mustafa, ka marrë leje të ndërtimit për ndërtimin e një depoje në Zonën ekonomike në Prishtinë. Pasi që objekti nuk do të jetë i ndërtuar me material të fortë, leja është e karakterit të përkohshëm, shkruan lajmi.net.
Ndërtimi po bëhet mbi tokën e cila është në emër të kryeministrit, Isa Mustafa dhe Mustafë Mustafa.
“I lejohet investitorit “Makcar” L.L.C. me seli në Prishtinë, (qiramarrës sipas kontratës për qira të vërtetuar te noteri Burim Z. Xhemajli me LRP.Nr. 2484/2016 me dt. 26.08.2016) me përfaqësues Besnik Mustafa nga Prishtina, sipas kërkesës me nr. 05-351 -251 898 dt. 10.10.2016, për lejimin e ndërtimit të objektit të përkohshëm afarist (depo afariste), me etazhitet P+O, në kuadër të parcelës kadastrale nr. 1388-1, e evidentuar në certifikatën e njësisë P-71914059-01388-1, ZK Prishtinë, dhe në pronësi të Isa dhe Mustafë Mustafa nga Prishtina”, thuhet në arsyetimin e lejes së ndërtimit të lëshuar nga Komuna e Prishtinës me datë 17.11.2016.
Projektin e ndërtimit e ka bërë kompania “Aspen Architecture” sh.p.k. Sipërfaqja totale ndërtimore në m², 2012.70m². Pagesa totale e lejes së lëshuar ka qenë 24,194.15 euro. 10,707.56 euro janë paguar për pagesa e tarifës për rritjen e densitetit 13.30€ për m² dhe 13,485.09 euro për pagesa e taksës administrative 6.70€ për m².
Hartimin e projektit për objektin investiv për fazat e projektimit të arkitekturës, statikës, instalimeve elektrike dhe instalimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit i ka bërë kompania projektuese “Aspen Architecture” sh.p .k. nga Prishtina, Adnan Sekiraqa. /Lajmi.net/