Site icon PrishtinaPress

Shpallja e zgjedhjeve në veri – problem i bazës ligjore apo i vullnetit politik?

Ligji për vetëqeverisje lokale ofron bazë të kufizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, por zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet politik të autoriteteve vendore.

Kështu vlerësojnë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, dhe Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Për ta shtensionuar situatën, Kosova ka rënë dakord edhe për zvogëlimin e pranisë policore në ndërtesat komunale në veri.

Por, Bislimi tha më 24 korrik se nuk është i sigurt se ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri.

Ai, po ashtu, tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

BE-ja pezulloi disa fonde dhe takime me Kosovën, pasi e bëri fajtore për përshkallëzimin e situatës në veri.

BE-ja nuk e komentoi deklaratën e Bislimit, por përsëriti thirrjen për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa nga qytetarët serbë që jetojnë në katër komunat në veri, kërkoi që të marrin pjesë në proces.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha BE-ja më 25 korrik.

Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet në Kosovë “nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”.

Miftaraj: Dorëheqja e kryetarëve, zgjidhja për zgjedhje

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se kur për çështje ligjore kërkohen zgjidhje politike, atëherë zgjidhja e situatës komplikohet.

Por, sipas tij, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore duhet qasur zgjidhjes më praktike.

“Me rëndësi është fakti se ka një konsensus që kryetarët [e katër komunave në veri] nuk kanë legjitimitet [pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët]. Ata, fatkeqësisht, nuk i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës. Andaj, nëse ka vullnet politik, duhet të ofrohet zgjidhja që është më praktike dhe që ka më pak implikime për buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo, padyshim, nënkupton ofrimin e dorëheqjeve [nga katër kryetarët e komunave në veri]”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Duke folur për gazetarët të mërkurën, Kurti la të kuptohet se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve.

“Nuk e di se sa është i këndshëm takimi [i kryetarëve] me mua, sepse kur takohen njerëzit me mua, unë u them ‘shkoni në punë dhe jo mos shkoni në punë’”, u shpreh Kurti.

Milliqeviq: Askush nuk dëshiron të merret me peticionin

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti, tha se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë, nënshkruajnë peticionin për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor, që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se nuk ka asnjë sinjal pozitiv se deri te zgjedhjet e parakohshme në veri mund të arrihet përmes nënshkrimit të peticionit nga qytetarët.

Sipas tij, një peticion të tillë duhet ta iniciojë ndonjë subjekt politik serb, por ata nuk janë të gatshëm për diçka të tillë.

“Pas gjithë këtyre fërkimeve të forta, është e qartë se askush në veri nuk dëshiron të merret me atë proces, me peticionin, grumbullimin e nënshkrimeve dhe kështu me radhë. Si mundësi ligjore, kjo ekziston, por përballë kësaj nuk ekziston vullneti politik për inicimin e një procesi të tillë”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.

Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se arritja deri te zgjedhjet e parakohshme përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët, fillimisht është mjaft e kushtueshme për buxhetin e vendit, por, sipas tij, edhe një shembull jo i mirë.

“Kjo do të ndërtonte një precedent të dëmshëm, që nënkupton se kjo mund të përsëritet pastaj edhe në komunat tjera [në të ardhmen]”, thotë Miftaraj.

Mundësinë e organizimit të zgjedhjeve përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, e ka përmendur më herët edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Nënshkrimi i peticionit “me kushte”

Disa banorë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do ta nënshkruanin një peticion për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në komunat e veriut. Por, ata kanë qëndrime të ndryshme se çfarë duhet t’i paraprijë një procesi të tillë.

Marija thotë se, fillimisht, autoritetet e Kosovës duhet t’i plotësojnë disa kushte.

“Të largohen forcat speciale nga veriu i Kosovës, të lirohen personat që u arrestuan, se ata ishin në të drejtën e Zotit, dhe pastaj të shohim, të shkojmë në një rund të ri [zgjedhor] për të parë se çfarë do të ndodhë”, thotë Marija.

Por, Savo Drobnjakoviq thotë se ai do ta nënshkruante peticionin vetëm nëse atë e inicion Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

“Nëse e inicion shteti i Serbisë dhe Lista Serbe thotë po, atëherë unë do të votoja për të. Beogradi nuk ka autoritet këtu, por nëse Lista Serbe thotë, atëherë populli pajtohet, pra edhe unë do ta nënshkruaja”, thotë Drobnjakoviq.

Jovan Milliqeviq beson se të gjithë banorët e veriut të Kosovës do të duhej ta nënshkruanin peticionin.

“Po shohim që askund në veri nuk ka institucione funksionale. Çdo ditë lexojmë në media se funksionon vetëm ajo vetëqeverisje lokale në Mitrovicë të Veriut, e cila miraton disa vendime që absolutisht nuk kanë të bëjnë me popullatën serbe… Nëse është e mundur dhe e realizueshme, të ndryshohet paksa për të mirë politika e kuadrove”, thotë Jovan Milliqeviq.

Hapat drejt zgjedhjeve?

Miodrag Milliqeviq nga organizata Aktiv vlerëson se autoriteteve të Kosovës u mungon vullneti politik për të shkuar drejt zgjedhjeve në veri përmes dorëheqjeve të kryetarëve të komunave.

Në këtë kontekst, thotë ai, çështja se si duhet mbajtur zgjedhjet, duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re Kosovë-Serbi.

“Pa diçka të tillë nuk do të arrihet kurrfarë përparimi më tutje. Së dyti, në Bruksel duhet të diskutohet se cilët janë hapat, në radhë dhe sipas rrjedhës logjike”, thotë Milliqeviq.

Sipas tij, hapi i parë në këtë radhë duhet të jetë kthimi i funksionalitetit të komisioneve komunale zgjedhore, përkatësisht kthimi i tyre në gjendjen e para muajit nëntor të vitit të kaluar, pra para braktisjes së institucioneve të Kosovës nga serbët e veriut.

“Më pas, bashkë me këtë, të arrihet një konsensus politik se si do të organizohen zgjedhjet, si dhe pajtimi i Beogradit apo serbëve lokalë për pjesëmarrje në ato zgjedhje. Kjo mund të arrihet vetëm në kuadër të dialogut”, thotë Milliqeviq.

Sipas tij, hapa pasues do të duhej të ishin shpërndarja e kuvendeve komunale të katër komunave në veri dhe vendosja e masave të përkohshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe vetë mbajtja e zgjedhjeve.

Në një situatë të tillë, sipas Milliqeviqit, Beogradi zyrtar do të duhej të obligohej që të mos ushtrojë kurrfarë presioni apo veprimesh të dhunshme ndaj politikanëve dhe qytetarëve në veri të Kosovës, të cilitdo opsion politik apo përkatësie kombëtare qofshin ata.

Exit mobile version