Qeveria e Kosovës del se nuk është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, ndonëse ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla pohoi se paraprakisht e kanë bërë një gjë të tillë . Këtë deklaratë të Sveçlës e kanë përgënjeshtruar DASh-i, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”- tha dje Sveçla.
Por duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pak orë pas deklaratës së Sveçlës, nga Departmenti Amerikan i Shetit thanë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar as me ta, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtar.
Madje një zëdhënës i DASh-it i bëri thirrje Qeverisë që të përmbahet nga hapat e njëanshëm, duke theksuar se amerikanët po punojnë për ta zgjidhur krizën aktuale.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për REL.
Lidhur me deklaratat e Sveçlës reaguan edhe nga Gjermania. Nga Amabasada Gjermane theksuan se nuk janë infomruar e as konsultuar paraprakisht nga Qeveria e Kosovës poër vendimin e marrë.
“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë nga zyra për shtyp e Ambasadës gjermane.
Sikurse DASh, edhe gjermanët e quajtën këtë vendim të njëanshëm.
“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për KlanKosova.
Se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe Brigadës së Veriut” organizata terroriste, e tha sot edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha një zëdhënës i Ambasadës për Paparacin.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” u shpallën organizata terroriste të enjten e 29 qershorit, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për sigurinë e vendit.
“Bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës formacionet civile mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kurti tregoi arsyet që çuan deri në vendimin për shpalljen terroriste të këtyre dy organizatave.
“Duke u nisur që kërcënimi ndaj rendit kushtetues e juridik është i pakompromis, e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sulmeve ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politikë, thirrjeve për rezistencë dhe mosbindje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, edhe përmes zjarrëvënies së pronës publike e private, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve të vendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanosja dhe frikësimi i qytetarëve në veri të vendit, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.
Ndërkaq, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke punuar për t’i identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Ai deklaroi se këto dy grupe ka vite që janë toleruar.
Sveçla bëri të ditur se janë në fazën e identifikimit të personave që kanë shkaktuar vepra penale në veri.
“Në kuadër të mandateve përkatëse, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme. MPB-ja është angazhuar në identifikimin e këtyre personave që kanë shkaktuar vepra penale”, ka thënë ai.
Por çfarë bënin këto dy organizata?
Organizata “Mbrojtja Civile” ka dal publikisht në vitin 2011. Asokohe njerëz të veshur me uniforma të zeza, me mbishkrimin Civilna zashtita” (Mbrojtja Civile), u parë në rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë.
Ata madje në 2012 janë parë duke kryer ushtrime në sheshet kryesorë të Mitrovicës së Veriut.
Ata u panë edhe para qendrave të votimit në zgjedhjet lokale të 2013.
“Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.
Institucionet e sigurisë në Kosovë e kanë vlerësuar si organizatë e rrezikshme për sigurinë.
Një ndër to është edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Ata kanë vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake.
Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014.
Ani pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Shuarja e “Mbrojtjes Civile” është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në Bruksel në vitin 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri në vitin 2016, rreth 500 pjesëtarë të saj janë integruar në institucionet e Kosovës. Por, këto të fundit kanë shprehur vazhdimisht dyshime për vazhdimin e funksionimit të këtij formacioni.
Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, përkatësisht në Zveçan, kanë kulmuar në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.
Më 13 qershor, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj KFOR-it dhe vepra të tjera kriminale është arrestuar serbi Millun Millenkoviq, në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla ka thënë se ai është udhëheqës i “formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale” në veri.
Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.
Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.
Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.
Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.
“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.
Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.
Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.
Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.
Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.