Policia e Kosovës, shumë shpejt do ta ketë në krye një drejtor të ri. Të mërkuren Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkursin për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, i cili do të jetë i hapur deri më 2 dhjetor.
Në konkurs janë specifikuar të gjitha detajet se kush ka të drejtë t’i futet garës.
Sipas nenit 38 të Ligjit për policinë që flet për zgjedhjen e drejtorit thuhet se kandidati duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të mos ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, të mos jetë i ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore sipas rregullores disiplinore të policisë apo rregullores së institucioneve të tjera shtetërore brenda 10 vjetëve të fundit që është ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinë së Policisë së Kosovës.
Po ashtu sipas ligjit kandidati duhet të ketë gradën kolonel, nënkolonel ose major së paku pesë vjet dhe të mos ketë konflikt interesi me detyrën si parashihen në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike.
Secili kandidat për këtë post duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.
Aktualisht ushtryes detyre i drejtorit është Samedin Mehmeti. Ai e mori këtë detyrë pas largimit të Rashit Qalajt./