Shoqëria Civile, letër të hapur liderëve politikë: Rrëzimi i Qeverisë rrezikon ta fusë vendin në krizë dhe të nxisë pakënaqësi qytetare

81
Advertisement

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i përkrahur nga 14 organizata jo qeveritare, i është drejtuar me një letër të hapur udhëheqësve të subjekteve politike, përmes së cilës ka kërkuar që të reflektojnë në këtë situatë kur vendi gjendet në një gjendje të përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe të shmangin krijimin e krizës institucionale duke rrëzuar qeverinë.

Advertisement

Sipas shoqërisë civile, votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ndonëse është e drejtë kushtetuese e partive politike parlamentare, rrezikon të fusë vendin në krizë politike e institucionale dhe të nxisë pakënaqësi qytetare, që tani vendit i duhen më së paku.

“Duke vlerësuar që aktualisht shëndeti publik dhe qetësia qytetare duhet të jenë imperativ për tërë spektrin politik, kërkojmë nga ju që deri në mbajtjen eventuale të seancës, të bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës së tanishme”, thuhet në letrën e hapur.

Më poshtë lexojeni të plotë letrën e hapur:

Letër e Hapur nga Organizatat e Shoqërisë Civile

Prishtinë, 24 mars 2020

I nderuari Kryeministër dhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti,

I nderuari Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa,

 nderuari Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli,

I nderuari Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I nderuari Kryetar i Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj,

I nderuari Kryetar i Aleancës Kosova e Re, z. Behgjet Pacolli,

Kosova ndodhet në fazë tejet të ndjeshme në luftën kundër shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit COVID-19. Në këto momente kritike, ne Organizatat Jo-Qeveritare nga shoqëria civile vlerësojmë që ndërmarrja e iniciativave nga subjektet politike parlamentare për shkarkimin e Qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie të re është jo në kohën e duhur. Votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ndonëse është e drejtë kushtetuese e partive politike parlamentare, rrezikon të fusë vendin në krizë politike e institucionale dhe të nxisë pakënaqësi qytetare, që tani vendit i duhen më së paku.

Duke vlerësuar që aktualisht shëndeti publik dhe qetësia qytetare duhet të jenë imperativ për tërë spektrin politik, kërkojmë nga ju që deri në mbajtjen eventuale të seancës, të bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës së tanishme, duke pasur në konsideratë pikat si në vijim:

1.Kjo marrëveshje duhet të bazohet në parimin e funksionimit të pandërprerë të punës së ekzekutivit deri në tejkalimin e kësaj sfide, respektimin e të drejtës së deputetëve për votimin e mocionit pas një periudhe optimale, përfshirjes aktive të të gjitha partive në luftën kundër pandemisë nëpërmjet ofrimit të ekspertizave përkatëse, por edhe vazhdimin e mbikëqyrjes efektive të vendimeve tjera të ekzekutivit;

2.Marrëveshja duhet të parashohë modalitete që respektojnë detyrimet kushtetuese që rrjedhin nga iniciativa e ndërmarrë nga më shumë se 40 deputetë për mbajtjen e seancës, por që nuk rezultojnë me votim të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë;

3.Subjektet politike parlamentare mund të merren vesh që mocioni të hidhet në rend të ditës por që i njëjti të mos votohet së paku deri në një periudhë 90 ditore osë derisa të kalojë gjendja emergjente. Duke u siguruar që pas kësaj periudhe  kur të krijohen rrethanat e përshtatshme për një veprim të tillë që respekton vullnetin e shumicës së deputetëve në Kuvend.

Fokusi i tërë spektrit politik, e në veçanti institucioneve ekzekutive, duhet të jetë në ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së këtij virusi. Qeveria poashtu duhet t’i raportojë Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare në mënyrë të rregullt për të gjitha zhvillimet që janë në kompetencë të ekzekutivit dhe për t’i mundësuar kështu Kuvendit ushtrimin e detyrave mbikëqyrëse.

Të gjitha kapacitetet profesionale e humane të subjekteve politike duhet të orientohen në funksion të ofrimit të ekspertizës së nevojshme për institucionet në tejkalimin e kësaj situate, por edhe krijimin e një situate qetësie dhe shprese tek qytetarët e Kosovës. Ne konsiderojmë që një veprim i tillë, i bazuar edhe në praktikat e vendeve evropiane të bashkimit të spektrit politik në kohë krizash, do të përçonte mesazh pozitiv dhe inkurajues për qytetarët e Kosovës në përballimin e kësaj situate.

Mbesim me shpresën që ju do të merrni në konsideratë shqetësimin tonë lidhur me situatën, që është edhe reflektim i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve për lënien anash të kalkulimeve politike në këtë situatë dhe fokusimin e tërësishëm në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19.

Përkrahur nga:

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)

Instituti KIPRED

Instituti GAP

KIPRED

Lëvizja “Fol”

Organizata “Çohu”

KFOS

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)

PostAdssFotoja e reklamës