-2.9 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Shoqëria civile kërkon nga KPK-ja të mos e ndryshojë sot Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili ka vendosur që në takimin e 231-të, i cili është planifikuar të mbahet të hënën me 26 qershor 2023, të miratojë ndryshim/plotësimin e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës pa e vënë këtë të fundit në dëgjim publik.

Rregullorja Nr. 06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, është miratuar nga KPK në vitin 2019. KPK me 31 maj 2023 ka marrë vendim të bëjë ndryshim/plotësimin e kësaj rregullore për shkak se me 1 qershor 2023 ka hyrë në fuqi Ligji Nr.08/L-167 për Prokurorin e Shtetit i cili ligj ka paraparë kritere të tjera për përzgjedhjen e Kryeprokurorëve të Prokurorive.

Deri tek ndryshim/plotësimi i ngutshëm i kësaj rregullore ka ardhur edhe për shkak se KPK me 23 maj 2023 kishte shpallur konkursin për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, konkurs ky që ishte shtyrë pastaj deri në ndryshim/plotësimin e rregullores së lartcekur.

KPK ka ndërtuar një standard të konsultimit publik me rastin e miratimit të legjislacionit sekondar nga ana e Këshillit Prokurorial.  Me keqardhje kemi kuptuar se i njëjti Këshill ka devijuar nga një praktikë dhe standard i tillë edhe lidhur me rregulloren e lartcekur. Duke pasur parasysh që një rregullore e tillë është e rëndësisë së madhe për shkak se me të njëjtën përcaktohen kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së krerëve të prokurorive, tejkalimi i konsultimit publik dhe mohimi i akterëve të shoqërisë civile dhe palëve të interesit për të qenë pjesë e këtij procesi, ngrit dyshime të arsyeshme lidhur me transparencën, llogaridhënien dhe integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të përmirësuar procesin e emërimit të kryeprokurorëve në mënyrë të drejtë, të pavarur, të paanshme dhe të bazuar në meritokraci.

Fillimisht, IKD thekson faktin se shqetësimet dhe kritikat e ngritura për këtë rregullore janë të mëhershme, pra qysh në reagimet e koalicionit të OJQ-ve lidhur me Integritetin e kontestuar të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Organizatat Jo-Qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL (Tutje: Koalicioni), së bashku kishin bërë monitorimin dhe vlerësimin e procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, nga edhe ishte kërkuar që ky proces të anulohet në tërësi për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të këtij procesi.

Sipas gjetjeve të koalicionit, përkundër se Kushtetuta dhe ligjet bazike promovojnë një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm që garanton meritokracinë, këtë frymë e pengon si udhëzuesi ashtu edhe formulari i Koncept Dokumentit për kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit. Sa i përket udhëzuesit, i njëjti është i orientur më shumë drejt vlerësimit të njohurive teorike se sa i bazuar në shkathtësi dhe aftësi të cilat ndërlidhen me pozitën e kryeprokurorit. Shumica e pyetjeve në formularin e koncept dokumentit për kryeprokuror të shtetit janë të bazuara në ligjet e shfuqizuara dhe kohën kur Kryeprokurori i Shtetit njëkohësisht ishte edhe Kryesues i KPK. Shumë pyetje në këtë formular ndërlidhen me proceset që janë kompetencë e KPK dhe jo Kryeprokurorit të Shtetit.

Për arsyet e lartcekura, një nga rekomandimet kryesore të koalicionit të OJQ-ve kishte qenë rekomandimi që KPK të plotësoj dhe ndryshoj Rregulloren për Procesin e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve, me theks të veçantë formularin e koncept dokumentit.

Tejkalimi i fazës së dëgjimit publik për një rregullore me rëndësi të veçantë për sistemin prokurorial e kthen mbrapa Këshillin sa i përket transparencës dhe llogaridhënies në raport me qytetarët, shoqërinë civile dhe mediat në Republikën e Kosovës. Po ashtu, mos inkorporomi i publikut në fazën e draftimit të këtyre akteve i’u pamundëson këtyre të fundit të shprehin interesimin për pjesëmarrje në procesin e konsultimit publik për të dhënë propozime dhe komente në çështje të ndryshme.

Andaj, IKD kërkon nga KPK që ti respektojë standardet minimale sa i përket konsultimit publik në hartimin e akteve të Këshillit, dhe në rastin konkret të mos e miratojë ndryshim/plotësimin e rregullores së lartcekur por të njëjtën ta tërheq nga rendi ditës së takimit të 231-të dhe ta obligojë Komisionin për Çështje Normative që aktin e tillë ta vë në dëgjim publik sipas afateve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2023 për Hartimin e Akteve Normative të KPK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img