Site icon PrishtinaPress

Shoqëria civile ka nisur fushatën kundër mënyrës së financimit të partive politike

Me moton “Paratë tona, standardet tona”, afro 100 organizata të shoqërisë civile kanë filluar fushatën kundër Projektligjit për financimin e partive politike. Përfaqësues të tyre, përmes një konference për media të premten, kanë bërë të ditur se do të nisin takime me përfaqësues institucionalë, si dhe aktivitete të tjera për të kundërshtuar këtë projektligj.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se shumica e amendamenteve të propozuara nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike cenojnë standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut, që i janë dhënë Qeverisë së Kosovës përkitazi me këtë projektligj më 3 maj 2018, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për buxhet e financa e dëmtojnë projektligjin, sepse cenojnë pavarësinë e Zyrës për regjistrimin e subjekteve politike, duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës”, ka thënë ai..

Exit mobile version