Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës, përmes një reagimi, ka shprehur indinjatën e thellë ndaj gjuhës të përdorur nga avokati Besnik Berisha ndaj prokurorit Rasim Maloku, në intervistën e dhënë mbrëmë në emisionin “Ditari i Buzhalës”.
Në reagimin thuhet se, Shoqata e Prokurorëve dënon fuqishëm gjuhën e përdorur nga avokati Berisha dhe thekson se format e tilla të përdorimit të gjuhës nënçmuese dhe ofenduese janë të papranueshme dhe të drejtuara jo vetëm ndaj dëmtimit të integritetit të prokurorit Maloku, por edhe ndaj autoritetit tërësor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
“Ju bëjmë me dije se Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm pranë prokurorëve dhe konfirmon përkrahjen dhe mbështetjen e parezervë të punës dhe veprimeve të prokurorit Rasim Maloku në ushtrimin e funksioneve të tij si Prokuror i Shtetit, duke i inkurajuar për përmbushjen e mandatit të tyre”, thuhet më tej në reagim.
Shoqata e Prokurorëve kërkon nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të iniciuar procedura disiplinore për shkelje të Kodit dhe Etikë profesionale të avokatëve si dhe legjislacionit pozitiv, ku përmes veprimeve të tij avokati Berisha ka denigruar njërën ndër hallkat kryesore të sistemit të drejtësisë përkatësisht sistemit prokurorial.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Kosovës, përmes këtij reagimi publik, shpreh indinjatën e thellë ndaj gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve ndaj prokurorit Rasim Maloku, të përdorura nga avokati Besnik Berisha, në intervistën e dhënë në emisionin “Ditari i Buzhalës”, intervistë kjo, e shfaqur dje, më 17 korrik 2023, në orët e mbrëmjes, me ç’rast gjatë intervistës, avokati Berisha ka ofenduar rëndë dhe me një gjuhë shumë të ulët prokurorin e çështjes, Rasim Maloku, për shkak se i njëjti e ka arrestuar një ditë më herët të njëjtin në bazë të autorizimeve dhe detyrave që ia lejon Ligji dhe Kushtetuta e vendit”.