Site icon PrishtinaPress

Shoqata e Artistëve të Teatrit thotë se me konkurse për 4 aktorë nuk konsolidohet Teatri Kombëtar

Shoqata e Artistëve të Teatrit Kombëtar, nëpërmes një kumtese për medie, ka thënë se Teatrit Kombëtar i kosovës ka nevojë për një ansambël gjithëpërfshirës elitar me të paktën 50 aktorë të formateve të ndryshme.

Ata kanë thënë se konkursi për aktorë, njëherë dhjetë e më pas katër është në s’përputhje me synimet e krijimit të një Ansambli Rezident të TK-së, transmeton Koha.net.
Kjo shoqatë ka vënë në dukje se në këto konkurse po konkurojnë shumë aktorë, që shumica e tyre do të duhej të ishin pjesë e teatrove tp qyteteve përaktëse, por një gjë e tillë është e pamundur.
Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës.
(Përkitazi me Konkursin për Ansamblin Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës)

Bordi Ekzekutiv i SHATK-së (Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës) vlerëson se shpallja dhe realizimi i pjesshëm i konkurseve, ashtu siç ka ndodhur në dy raste, njëherë me 10 (dhjetë) dhe kësaj here me 4 (katër) aktorë, është në s’përputhje me premisat dhe synimet për krijimin dhe konsolidimin e plotë të Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Hapësira e krijuar me konkurset e kësaj natyre nuk i plotëson nevojat e vërteta të këtij teatri e as kërkesat e shumta të aktorëve për punësim në institucionin kryesor teatror të vendit. Rrjedhimisht, për shkak të numrit të vogël të vendeve të shpallura në këto konkurse, krijimi i këtij ansambli nuk mund të jetë i plotë e as gjithëpërfshirës.
Përpjekja e një numri kaq të madh të aktorëve për t’u bërë pjesë e Ansamblit Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës është reflektim i gjendjes në teatrot e qyteteve, të cilat, për shkak të politikave të mbrapshta e kundërligjore të drejtuesve të komunave të ndryshme, vazhdojnë të veprojnë pa strukturë të formësuar të ansambleve rezidente. Themelimi i këtyre ansambleve në teatrot e qyteteve do ta zbuste sadopak presionin mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës, i cili, për shkak të nivelit të tij përfaqësues shtetëror dhe kombëtar, do të duhej ta kishte një strukturë më komplekse dhe më gjithëpërfshirëse të aktorëve.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së vlerëson se Ansambli Rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të jetë një përbërje thellësisht profesionale dhe elitare, me aktorë të moshave, profileve, prirjeve e talenteve të ndryshme, e jo një arnim i pjesshëm, copa – copa, përmes konkurseve të improvizuara, të cilat hapen për zëvendësimin apo plotësimin e vendeve të zbrazura nga aktorët e pensionuar. Në të vërtetë, për shkak të natyrës së tij të veçantë si medium artistik, teatri nuk e pranon nocionin “pensionim”, meqë një ansambli rezident i duhen gjithmonë edhe aktorët e moshuar, ashtu sikundër i duhen edhe aktorët e rinj, me të cilët ai duhet të freskohet dhe të plotësohet vazhdimisht.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton MKRS-në që, në përputhje me politikat e përgjithshme kulturore, të veprojë pa humbur kohë në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për ndryshimin e Ligjit për Teatrin dhe, në këtë kontekst, duke vlerësuar kapacitetet profesionale dhe nevojat e vërteta të teatrove, edhe për ripërcaktimin e rolit, të numrit dhe të fizionomisë së ansambleve rezidente. Teatri Kombëtar i Kosovës ka nevojë për një ansambël gjithëpërfshirës elitar me të paktën 50 (pesëdhjetë) aktorë të formateve të ndryshme. Pa krijimin dhe konsolidimin e plotë të këtij ansambli ky teatër nuk mund të jetë institucion artistik e as institucion kulturor përfaqësues i përmasave shtetërore e kombëtare.

Exit mobile version